Shqetësimet e demokratëve për kandidaturën e Howard Schultz

Amerika

Shqetësimet e demokratëve për kandidaturën e Howard Schultz

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 17:36
Ish- drejtuesi i kompanisë “Starbucks” Howard Schultz

Ish shefi ekzekutiv i kompanisë “Starbucks”, Howard Schultz, shkaktoi debate intensive kohët e fundit mes demokratëve, kur ai njoftoi se po shqyrtonte mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale si kandidat i pavarur. Demokratët druhen se një centrist i pavarur mund të marrë vota nga kandidati i tyre presidencial në vitin 2020, duke ndihmuar rizgjedhjen e Presidentit Donald Trump për një mandat të dytë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone nga Uashingtoni, historia e kandidatëve të pavarur është interesante dhe e debatueshme.

Ish- drejtuesi i kompanisë “Starbucks” Howard Schultz po teston mjedisin politik mbi mundësinë e futjes në garën presidenciale si kandidat i pavarur.

"Duhet ta ndryshojmë këtë sistem, sepse këta njerëz shikojnë vetëm interesin e vet dhe ideologjinë e tyre. Ne mund të bëjmë gjëra më të mira nëse bashkohemi, është koha për ndryshim".

Por, zoti Schultz është sulmuar nga demokratët që druhen se kandidatura e tij e pavarur do të siguronte rizgjedhjen e Presidentit Trump.

Ndërkohë që zoti Schultz shqyrton mundësinë e kandidimit, disa demokratë tashmë kanë filluar garën e tyre për president, duke përfshirë senatoren nga Kalifornia, Kamala Harris.

"Jemi në këtë pikë, sepse ëndrra amerikane dhe demokracia jonë amerikane janë nën sulm dhe në rrezik si kurrë më parë."

Shqetësimi i demokratëve për hyrjen në garë të Howard Schultz-it si kandidat i pavarur është real, thotë analistja Elaine Kamarck.

"Vendi i dha shansin një miliarderi që nuk kishte shërbyer kurrë në qeveri dhe kjo nuk po funksionon aq mirë. Kështu që mendoj se kjo nuk do të përsëritet për një kohë të caktuar".

Kandidatët e pavarur presidencialë kanë lënë gjurmë në fushatat e disa dekadave të mëparshme.

Nga George Wallace në vitin 1968, John Anderson në vitin 1980 e deri tek Ross Perot, i cili fitoi 19 për qind të votës popullore në vitin 1992.

"A doni një qeveri që vjen tek ju nga Uashingtoni, apo doni një qeveri që vjen nga ju?"

Kohët e fundit, aktivisti për të drejtat e konsumatorëve Ralph Nader dhe drejtuesja e Partisë së Gjelbër Jill Stein gjithashtu kanë marrë pjesë në gara presidenciale si kandidatë të pavarur.

Duke patur parasyshë polarizimin ekstrem të politikës sot, shumë votues duan një zë të moderuar, thotë historianja Doris Kearns Goodwin.

"Shtrohet pyetja nëse kemi humbur apo jo ankorimin. Është në pikëpyetje vlerësimi si qënie njerëzore i një parite ndaj tjetrës.”

Me vështrimin drejt vitit të ardhshëm, shumë demokratë janë të shqetësuar se votuesit po shpërqendrohen nga një kandidat i partisë së tretë, ndërsa kërkojnë të mposhtin Presidentin Trump, thotë analisti Larry Sabato.

"Varet shumë nga zgjedhja e një kandidati nga demokratët, i cili mund të nxisë një pjesëmarrje të madhe elektorati dhe mund të pengojë përpjekjet e palëve të treta si Partia e Gjelbër për të fituar dy ose tre për qind të votave, që do të mund të kishte ndikim të madh në Kolegjin Elektoral". Me ose pa kandidimin e Howard Schultzit, fushata për zgjedhjet e vitit 2020 tashmë duket se do të jetë një spektakël me shumë kandidatë, energjik dhe karizmatik, duke përgatitur rrugën për një betejë presidenciale epike vitin e ardhshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat