OKB diskuton gjendjen në Venezuelë

Amerika

OKB diskuton gjendjen në Venezuelë

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 16:43
Foto

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të ShBA-së për të diskutuar gjendjen në Venezuelë. Kjo lëvizje e Uashingtonit vjen një ditë pasi Departamenti i Thesarit i njoftoi për sanksione të reja ndaj katër zyrtarëve venezuelas.

Zëvendëspresidenti Mike Pence gjatë takimit që pati në Kolumbi me udhëheqësin e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, theksoi se Shtetet e Bashkuara do të shpallin sanksione edhe më të forta mbi “rrjetet financiare korruptive të regjimit.”

Pavarësisht se ShBA-ja dhe shumë vende perëndimore dhe latinoamerikane e mbështesin liderin opozitar të Venezuelës Huan Guaido i cili është vetëshpallur si president i përkohshëm, nga ana tjetër Rusia, Kina, Meksika dhe disa vende të tjera mbështesin presidentin e kontestuar Nikollas Maduro. Këto vende janë kundër përzierjes në politikën e brendshme të Venezuelës.

Kërkesa e ShBA-së për një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Sigurimit vjen pasi fundjavën e kaluar dështoi një përpjekjeje për të futur në vend ndihmat humanitare dhe kriza në vend u thellua.

 Miliona venezuelas janë duke u ndeshur me mungesën e ushqimit dhe të medikamenteve, ndërkohë ekonomia e vendit është shkatërruar nën udhëheqjen e Maduros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat