Dëshmia e ish avokatit të presidentit Trump në Kongres

Amerika

Dëshmia e ish avokatit të presidentit Trump në Kongres

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:50
Michael Cohen

Michael Coehn, ish avokat i Presidentit Donald Trump, u tha ligjvënësve të mërkurën se zoti Trump, prej shumë vitesh, kishte dijeni paraprake mbi publikimin e një numri emailesh nga Wikileaks, të cilat dëmtuan rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, demokraten Hillary Clinton. Korrespondetja e Zërit të Amerikës në Kongresin amerikan, Katherine Gypson njofton se në një seancë dëgjimore disa orëshe, që do të jetë dëshmia e vetme e tij publike, zoti Cohen u përball me kundërshtime të ashpra nga republikanët, ndërsa shpalosi një listë akuzash të dyshimta kundër Presidentit Trump.

Fjalë të ashpra nga Michael Cohen, njeriu që për 10 vjet i shërbeu zotit Trump.

“Ai është racist, mashtrues dhe i pandershëm. Ai ishte një kandidat për president që e dinte se Roger Stone po fliste me Julian Assange rreth publikimit nga Wikileaks të emailave të Komitetit Kombëtar Demokrat".

Zoti Cohen e shfrytëzoi shansin e tij të fundit për të treguar të vërtetën, sipas tij, mbi rolin e fushatës së zotit Trump në publikimin e makinacioneve ndaj kundërshtares Clinton .....para se të kryejë dënimin me burg ngaqë gënjeu në Kongres, një veprim për të cilin ai beson se zoti Trump e inkurajoi.

“Ai më shikonte në sy dhe më thoshte se nuk ka asnjë biznes në Rusi dhe pastaj dil dhe gënje popullin amerikan duke thënë të njëjtën gjë. Në mënyrën e tij, ai po më thoshte të gënjeja.”

Ai tha se nuk kishte prova të drejtpërdreja për bashkëpunim mes Rusisë dhe fushatës së zotit Trump. Por ai dha prova për një skandal tjetër, kopjen e një çeku.

“Presidenti Trump e firmosi personalisht nga llogaria e tij bankare më 1 gusht 2017, kur ishte President i Shteteve të Bashkuara.”

Një pagesë që thuhet se ishte bërë për ta ndaluar aktoren e filmave pornografike Stormy Daniel që të zbulonte para zgjedhjeve të vitit 2016 mardhëniet e saj të para 10 viteve me zotin Trump. Kjo është vetëm një pjesë e pandershmërisë së modelit Trump, u tha Cohen ligjvënësve....

“Ai nuk kishte asnjë dëshirë, apo qëllim për të udhëhequr vendin, por vetëm për të reklamuar veten dhe për shtuar pasurinë dhe fuqinë e tij.”

Por republikanët thanë Cohen, i cili është dënuar për akuza të tjera, përbën dëshmitarin më të keq të mundshëm. Mark Green është ligjvënës republikan.

Image

“Nëse demokratët do të kërkonin të vërtetën, duhet të sillnin një njeri të ndershëm të dëshmonte.”

Republikani Jim Jordan e akuzoi ish avokatin se po e sulmonte presidentin për inat.

“Ju keni dashur të punoni në Shtëpinë e Bardhë. Por nuk ta dhanë mundësinë të kishe atje një post.”

Image

Demokratët thanë se e besonin zotin Cohen, dëshminë e tij se si zoti operon Donald Trump. Jackie Speir është ligjvënëse demokrate.

“Po shtohet numri i dëshmive ku ai duket i pandalshëm në përpjekjet për të mbrojtur të fshehtat e tij. Domethnënë duke penguar drejtësinë dhe duke shkelur ligjin.”

Por nuk është e qartë nëse kjo është provë e mjaftueshme për të filluar procedurat e shkarkimit të presidentit. Jamie Raskin është ligjvënës demokrat.

“Është e qartë se janë kryer krimet më të këqija. Kërkohet nga ne që të ngremë pyetjen nëse këto krime janë kundër vendit dhe nëse bien ndesh me demokracinë tonë. Besoj se Amerika do të përfshihet në një dialog.” Një diskutim që shumica e demokratëve thonë se nuk mund të përcaktohet pa u përfunduar raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me akuzat për ndërhyrjen ruse./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat