SHBA, sanksione për “Nord Stream 2”

Amerika

SHBA, sanksione për “Nord Stream 2”

Më: 7 mars 2019 Në ora: 09:36
Foto

Administrata e Presidentit Donald Trump do të ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj kompanive europiane që po ndërtojnë linjën e tubacioneve të gazit natyror “Nord Stream 2” për transportimin e gazit nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën.

Linja e tubacioneve “Nord Stream 2” (NS2) do të zëvendësojë një tubacion të vjetër që kalon nëpër Ukrainë dhe Poloni dhe ka mbështetjen e qeverisë gjermane.

Por, kjo ka shkaktuar alarm tek qeveritë e Evropës Qendrore, të cilat e kundërshtojnë jo vetëm sepse do të humbasin tarifat fitimprurëse të tranzitit nga tubacionet e vjetra, por i tremben mbështetjes ruse të cilën e shohin të motivuar politikisht dhe jo komerciale. Duke folur në konferencën për energjinë në kryeqytetin belg, Nicole Gibson, zëvendësdrejtoreshë e zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropën, paralajmëroi se nëse kompanitë evropiane rifillojnë të vendosin tubacionet nga fundi i vitit, ato rrezikojnë “sanksione të forta”.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që “Nord Stream 2” të mos realizohet”, tha ajo.

Në Uashington argumentojnë se NS2 do të minojë sigurinë evropiane, do të thellojë varësinë e Evropës Perëndimore ndaj energjisë ruse si dhe do t’i japë Kremlinit një mundësi më të madhe për të përdorur burimet e gazit natyror për të ushtruar ndikim politik dhe shantazhuar qeveritë e Evropës Perëndimore.

NS2, që do të jetë nën pronësinë e gjigantit Gazprom të drejtuar nga Kremlini, do të dyfishojë kapacitetet e dërgimit të gazit në Gjermani, që është ekonomia më e fuqishme e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat