SHBA, "Fox News" nuk lejohet të organizojë debatet e demokratëve

Amerika

SHBA, "Fox News" nuk lejohet të organizojë debatet e demokratëve

Më: 7 mars 2019 Në ora: 17:35
"Fox News"

Partia Demokrate po përjashton kanalin televiziv Fox News nga organizimi debateve mes kandidatëve demokratë në fushatën paraprake për president këtë vit, pas publikimit të një artikulli në një revistë në të cilin zbulohen hollësi të lidhjeve të afërta të rrjetit televiziv me Shtëpinë e Bardhë.

“Raportimi i kohëve të fundit në revistën ‘The New Yorker’ mbi lidhjet e papërshtatshme mes Presidentit Trump, administratës së tij dhe kanalit ‘Fox News’ më kanë çuar në përfundimin se ky kanal nuk është në gjendje të organizojë një debat të drejtë dhe neutral për kandidatët tanë”, tha kreu i Komitetit Kombëtar Demokrat, Tom Perez të mërkurën.

Rrjeti televiziv Fox nuk reagoi drejtpërdrejt ndaj raportimit të revistës The New Yorker të mërkurën, por tha se shpreson se Komiteti Kombëtar i Partisë Demokrate do të ndryshojë qendrimin, duke i quajtur gazetarët e vet “ekipi më i mirë i debatit në biznes”.

“Ata u ofrojnë kandidatëve një mundësi të rëndësishme që të shprehin mendimet e tyre për audiencën më të madhe televizive në Amerikë, ku përfshihen shumë votues me mendje të hapur”, tha Bill Samon, kryeredaktor i lajmeve në byronë e rrjetit televiziv Fox në Uashington.

Rrjeti televiziv Fox e cilëson veten si “Dhoma e lajmeve të Amerikës”, dhe për vite me radhë përdor në transmetim slloganin “ I drejtë dhe i Balancuar”.

Por rrjeti televiziv dhe shumë prej gazetarëve drejtues të emisioneve si dhe komentatorët kanë pikpamje të theksuara konservatore. Presidenti Trump e ka quajtur veten një tifoz të madh të rrjetit Fox dhe punonjësit e Shtëpisë së Bardhë thonë se ai është një shikues i shpeshtë dhe i përditshëm.

Artikulli në revistën The New Yorker vuri në dukje se Presidenti Trump i ka dhënë kanalit televiziv Fox News më shumë intervista se sa tre rrjeteve të tjera kryesore të lajmeve të marra sëbashku.

Kur Presidenti Trump vizitoi kufirin mes Amerikës dhe Meksikës në muajin janar, thotë revista, komentatori i rrrjetit Fox News, Sean Hannity mbërriti atje shumë më heret se sa pjestarët e tjerë të mediave dhe se Sherbimi Sekret i dha atij qasje tek Presidenti Trump ndërsa mbajti larg gazetarët e tjerë.

Revista The New Yorker thotë se zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders i ka ndaluar konferencat e përditshme për shtypin, por është shfaqur rreth 30 herë në rrjetin televiziv Fox News.

Artikulli thekson se në korrik, Presidenti Trump punësoi ish bashkëpresidentin e rrjetit Fox News Bill Shine në postin e drejtorit për komunikim të Shtëpisë së Bardhë si dhe zëvendës shef të personelit.

Një tjerët ish president i rrjetit Fox News, Joe Peyronnin i tha revistës se, “Është sikur presidenti të kishte organizatën e tij mediatike. Kjo nuk është e mirë.” Komiteti Kombëtar Demokrat tha se debati i parë mes kandidatëve demokratë do të zhvillohet në muajin qershor./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat