Pyetje dhe dilema mbi vendimet e gjykatave për bllokim të masave ekzekutive

Amerika

Pyetje dhe dilema mbi vendimet e gjykatave për bllokim të masave ekzekutive

Më: 8 mars 2019 Në ora: 18:20
Pensilvani

Në janar, një gjykatëse federale në Pensilvani bllokoi rregulloret e reja të administratës Trump, në bazë të të cilave punëdhënësit lejoheshin të mos paguanin për kontraceptivë për gratë bazuar në arsyetime fetare e morale.

Gjykatësja Wendy Beetlestone, e cila deri atëherë nuk njihej në shkallë kombëtare, përdori një masë bllokuese që nuk lejon zbatimin e rregullores së re jo vetëm në Pensilvani dhe Nju Xhërsi, dy shtete që kishin ngritur padi ndaj qeverisë federale, por në mbarë SHBA.

Gjykatësja, e cila është emëruar në këtë detyrë gjatë administratës Obama, me një firmë të vetme bllokoi përkohësisht një politikë që sipas kritikëve të këtyre rregulloreve do të kishte ndikim negativ në jetët e miliona grave.

Lind pyetja: a duhet të ketë të drejtën një gjykatës i vetëm, një ndër qindra të tillë në nivel federal në SHBA, të marrë vendime që kanë peshë e ndikim për të gjithë vendin?

Bllokimi është një vendim gjyqësor që pezullon përkohësisht zbatimin e një politike qeveritare, ndërkohë që ndaj kësaj politike janë ngritur aktpadi në sistemin gjyqësor.

Një numër i pashembullt politikash të administratës Trump janë bllokuar nga gjykatës federalë. Si rezultat, republikanët në Kongres e kanë kritikuar këtë praktikë si “tejkalim i kompentencave nga gjyqësori” dhe si masë që mund të jetë antikushtetuese. Vjet, anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas tha se këto bllokime janë “të dyshimta si nga ana historike, ashtu edhe ligjore,” duke zgjuar spekullime se Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për ta trajtuar këtë çështje.

Bllokimi nga Gjykatësja Beetlestone ishte rasti i fundit në një seri bllokimesh, gjithësej 30 vendime gjyqësore për të bllokuar politika të administratës gjatë dy vjetëve të fundit. Këto vendime gjyqësore kanë qenë rrjedhojë e aktpadive të ngritura nga shtete nën drejtimin e demokratëve, nga organizata për të drejtat civile dhe nga grupe të tjera aktiviste, duke sfiduar urdhëresa të administratës Trump për kujdesin shëndetësor, imigracionin, të drejtat e transgjinorëve e plot çështje të tjera.

Këto janë ritme tepër të larta. Deri në vitet 1960 nuk kishte raste kur gjykatat kishin nxjerrë bllokim të një politike të administratës në shkallë kombëtare. Në dekadat që pasuan, para zgjedhjes së Presidentit Obama, gjykatës federalë kanë nxjerrë mesatarisht 1.5 vendime të tilla në vit për bllokim urdhëresash të administratës.

Gjatë administratës Obama kjo shifër shkoi në 2.5 vendime gjyqësore në vit, ndërsa gjatë vitit të parë të administratës Trump arriti në 20 vendime në vit. Si Presidenti Obama, ashtu edhe Presidenti Trump kanë nxjerrë urdhëra federale që shkaktuan polemika të shumta, kryesisht lidhur me imigracionin, klimën dhe tema të tjera. Këto politika u sfiduan në gjykata me aktpadi të ngritura nga shtete e organizata të ndryshme.

Amanda Frost, pedagoge në Departamentin e Jurisprudencës në Universitetin Amerikan, thotë se shtimi i vendimeve gjyqësore për të bllokuar politikat e administratës ka qenë reagim ndaj tendencave të Presidentëve Obama dhe Trump për të tejpërdorur autoritetin ekzekutiv.

"Kemi parë se si edhe Presidenti Obama, edhe Presidenti Trump kanë nxjerrë urdhra ekzekutivë për ndryshime rrënjësore për sistemin e imigracionit, apo për ligjet e punës. Këto ndryshime dolën nga një proces i njëanshëm ekzekutiv dhe jo përmes debatit e analizës në Kongres dhe këtu qëndron pjesërisht problem,” thotë zonja Frost.

Por jo të gjitha aktpaditë e ngritura rezultojnë në vendim gjykate. Për shembull një grup aktivist pro të drejtës së armëmbajtjes përmes një aktpadie në gjykatë federale kërkoi të bllokonte vendimin e administratës për të nxjerrë jashtë qarkullimi një mjet që i kthen armët nga pushkë të rregullta në automatikë. Gjykatësi federal në Uashington nuk miratoi kërkesën e tyre.

Departamenti i Drejtësisë, si nën administratën demokrate, ashtu edhe nën atë republikane, këmbëngul se gjykatësit federalë nuk gëzojnë autoritetin për të nxjerrë vendime që bllokojnë politika në shkallë kombëtare. Vjet, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions nxori udhëzime për gjykatësit federalë ku argumentonte nevojën për “riafirmimin e kufizimeve praktike e kushtetuese mbi autoritetin e gjykatësve”.

"Departamenti i Drejtësisë ka sfiduar bllokime gjyqësore në shkallë kombëtare mbi argumentin kushtetues si dhe përfaqësues, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” tha në një diskutim kohët e fundit Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, Ben Williams.

Bllokimet e nxjerra nga gjykatësit federalë kanë nxitur një debat të gjerë mbi këtë praktikë. Disa kritikë e shohin këtë praktikë si sfidë ndaj Kushtetutës. Samuel Bray, profesor i së drejtës në Universitetin Notre Dame, argumenton se Neni III i Kushtetutës kufizon autoritetin vendim-marrës të gjykatësve federalë brenda perimetrit të “vendimeve për disa palë, jo për tema që prekin këdo”.

"Prandaj, për 170 vjet nuk ka pasur vendime gjyqësore për të bllokuar masa ekzekutive në shkallë kombëtare, sepse gjykatat federale e kuptonin se këto veprime shkelnin autoritetin e tyre,” tha profesori në një seancë dëgjimore para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin.

Zoti Bray dhe kritikë të tjerë thonë se vendimet e gjykatave e politizojnë sistemin gjyqësor dhe çojnë në manipulime të sistemit nga grupe të caktuara që zgjedhin distrikte specifike pasi e dinë se nga anon gjykatësi federal në këtë distrikt dhe se ai apo ajo do të marrë vendim në interes të tyre. Por vendimi nuk prek vetëm distriktin ku vepron gjykatësi, por ka ndikim kombëtar. Këta organizata, shprehen kritikët, duhet të ngrenë padi si grup në vend që të kërkojnë bllokimin në gjykatë të një politike federale.

Përkrahësit thonë se këto bllokime janë shpesh e vetmja mënyrë për të ndihmuar palën akuzuese dhe për të mos lejuar dëme për të tjerë që mund të mos jenë në gjendje të ngrenë padi për rastin e tyre.

"Duhet të analizojmë raste specifike,” thotë Caroline Fredrickson, presidente e Shoqatës Kushtetuese Amerikane, një organizatë me pikëpamje liberale. “Ka shumë rëndësi që gjykatësit të analizojnë rrethanat dhe ta kuptojnë se vendimi i tyre mund të jetë një domosdoshmëri pasi ligji në fjalë po dëmton shumë njerëz të tjerë, jo vetëm ata që kanë ngritur padi në rastin konkret”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat