Venezuelë: Protestuesit përleshen me forcat e sigurisë

Amerika

Venezuelë: Protestuesit përleshen me forcat e sigurisë

Më: 10 mars 2019 Në ora: 20:20
Venezuelë

Protestuesit antiqeveritarë u përleshën me forcat e sigurisë të shtunën në një vend të caktuar për demonstratat në kryeqytetin venezuelian të Karakasit, duke shprehur zemërimin për një ndërprerje të energjisë në mbarë vendin dhe efektet e një paqëndrueshmërie ekonomike dhe politike që ka zgjatur për vite të tëra.

Përkrahësit e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido u mblodhën në Avenida Victoria, duke brohoritur SHBA, SHBA. Ata gjithashtu i quajtën "vrasës" policinë e trazirave ndërsa u përleshën me mburojat e tyre. Policia më vonë u tërhoq nga zona.

"Jemi duke jetuar një mizori prej shumë vitesh. Po shohim mungesën e të gjitha shërbimeve, plotësisht, të të gjitha shërbimeve. Jemi të lodhur nga mungesa e energjisë elektrike, jemi të lodhur nga mungesa e ushqimit, jemi të lodhur nga represioni, jemi të lodhur nga të gjitha fatkeqësitë e mbledhura së bashku. Paratë, transporti, energjia elektrike, ushqimi - janë shumë mungesa. Njerëzit duan një përgjigje të shpejtë", thotë protestuesi Carlos Fontal.

Pjesa më e madhe e vendit mbeti pa energji elektrike pas ndërprerjes të enjten, një nga ndërprerjet më të gjata, shkaku i të cilit mbetet i panjohur. Ndërprerja përkeqësoi krizën politike dhe ekonomike të Venezuelës, duke rrezikuar pacientët e spitaleve dhe duke detyruar mbylljen e shkollave dhe bizneseve.

"Qeveria duhet të ndërgjegjësohet. Kjo trazirë që po fillon këtu është për shkak të mungesës së energjisë, jo për shkak të Maduros, jo për shkak të ndonjë gjëje tjetër. Ne jemi këtu për të protestuar në mënyrë paqësore sepse duam energji elektrike. Kjo është e gjitha. Nuk duam asgjë tjetër. Duam energji elektrike", thotë Stefany Contreras.

Shërbimet rifilluan dalngadalë në Caracas dhe në shtetet e Mirandës dhe Vargasit, ku ndodhen aeroporti ndërkombëtar i vendit dhe porti kryesor. Ndërprerja vazhdon në shtetet perëndimore të Tachiras dhe Zulias ndërsa energjia elektrike në shtetet e tjera perëndimore është e paqëndrueshme.

Partia Socialiste e Presidentit Nicolas Maduro bëri thirrje për një demonstratë rivale për të protestuar ndaj asaj që ajo e quan qasje imperialiste e Shteteve të Bashkuara ndaj vendit të pasur me naftë. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të dëmshme ndaj qeverisë në përpjekjet për të ndërprerë burimet e financimit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat