Polemikat që rrethojnë vendimin për aktorin Smollett

Amerika

Polemikat që rrethojnë vendimin për aktorin Smollett

Më: 28 mars 2019 Në ora: 18:33
Jussie Smollett

Presidenti Donald Trump thotë se Byroja Federale e Hetimit dhe Departamenti i Drejtësisë duhet të rishikojnë rastin e aktorit Jussie Smollett, pas vendimit të prokurorisë së Çikagos për të rrëzuar akuzat ndaj tij. Aktori akuzohej se kishte raportuar tek autoritetet një sulm të sajuar me bazë urrejtjen.

Në një postim në Twitter, zoti Trump e quajti rastin "fyes" dhe "turp për vendin". Deri tani nuk ka pasur asnjë deklaratë nga FBI-ja apo Departamenti i Drejtësisë lidhur me këtë çështje.

Avokatët e zotit Smollett njoftuan të martën se dosja e klientit të tyre ishte "pastruar”.

Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit tha se, "pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave të rastit, përfshirë shërbimin vullnetar në komunitet të z. Smollett dhe një marrëveshje për t’i kaluar shumën e parave që ai ka paguar për lirimin me kusht (10 mijë dollarë), qytetit të Çikagos, besojmë se ky rezultat është zgjidhja e drejtë dhe e duhur për këtë rast".

Por përfaqësuesit e policisë së Çikagos si dhe kryebashkiaku Rahm Emanuel reaguan ashpër. "Kjo padyshim është një zhbërje e drejtësisë", tha zoti Emanuel, i cili u ankua se juria e madhe në këtë rast dëgjoi "vetëm një pjesë" të provave.

Sipas përfaqësuesit të policisë së Çikagos Eddie Johnson, ky rasti flet për drejtësi të munguar.

Aktori Jussie Smollett, një homseksual afro-amerikan, tha se ka qenë i sinqertë dhe i ka qëndruar pohimeve të tij që nga fillimi.

Zoti Smollett raportoi në muajin janar se kishte marrë një letër kërcënuese dhe më pas ishte sulmuar në rrugë nga dy burra, të cilët nuk i njihte. Sipas tij ata ishin përpjekur t’i lidhnin një litar në qafë, duke bërtitur fyerje raciste e homofobike ndaj tij. Sipas tij dy sulmuesit kishin thënë gjithashtu se "ky është vendi i MAGA-s", një akronim për sloganin e Presidentit Donald Trump "ta bëjmë Amerikën sërish madhështore".

Por sipas autoriteteve të policisë, zoti Smollett e kishte organizuar vetë sulmin duke u dhënë të dy personave 3,500 dollarë për ta kryer atë. Zoti Smollett luan karakterin e një homoseksuali në serialin televiziv "Perandoria", që është filmuar në Çikago./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat