President Trump, entuziast lidhur me përfundimet e raportit të Prokurorit Mueller

Amerika

President Trump, entuziast lidhur me përfundimet e raportit të Prokurorit Mueller

Më: 29 mars 2019 Në ora: 17:14
Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump po shfaq mjaft entuziazëm lidhur me përfundimet e raportit të përgatitur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për hetimin mbi Rusinë. Zoti Mueller e nxori të pastër presidentin dhe fushatën e tij të vitit 2016 lidhur me akuzat për bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, por ai nuk dha ndonjë gjykim për çështjen nëse zoti Trump u përpoq të pengojë drejtësinë. Kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr, tha se nuk kishte prova të mjaftueshme që mund të justifikonin veprime të mëtejshme. Ndikimi politik i raportit të zotit Mueller mund të shtrihet deri në fushatën presidenciale të vitit 2020, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Uashington Jim Malone.

Në selinë e Kongresit amerikan, presidenti Donald Trump me pamje triumfuese takohet me republikanët e Senatit.

"U provua shumë fuqishëm: asnjë bashkëpunim, asnjë pengim, asgjë. Ne po ecim shumë mirë. Kurrë nuk kemi patur një periudhë begatie si kjo. Është diçka e mrekullueshme", tha Presidenti.

Aleatët republikanë të zotit Trump besojnë se tani ai mund të rigjallërojë agjendën e tij politike. Mes tyre është senatori Lindsey Graham.

"Ju jeni tani ndoshta më i fortë se asnjëherë në presidencën tuaj. Reja është hequr. Pyetja për ju është se si do ta përdorni këtë, çfarë do të bëni," tha republikani Lindsey Graham.

Demokratët po kërkojnë publikimin e raportit të plotë të zotit Mueller. Senatori Chuck Schumer është njëri prej tyre.

"Qëllimi ynë kryesor për këtë çështje është thjesht transparenca. Publikojeni raportin, pastaj nxirrni përfundimet,” thotë Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.

Tani për tani, fakti që raporti i zotit Mueller nuk gjen bashkëpunim të fshehtë me Rusinë është një fitore e madhe politike për presidentin, thotë eksperti Bill Sweeney:

"Për Presidentin Trump, përfundimet paraprake mbi raportin e zotit Mueller janë të gjitha shumë, shumë pozitive. Por ende mbeten pikëpyetje se çfarë përmban konkretisht raporti dhe si do t’ia komunikojë administrata këtë informacion Kongresit dhe popullit amerikan".

Analisti parashikon se kjo do të ketë ndikim të pakët tek zgjedhjet e ardhshme presidenciale:

"Mendoj se baza e Presidentit Trump i qëndron Presidentit Trump. Ata që janë kundër tij mbeten kundër. Deri tani, raporti i zotit Mueller nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar zemrat, mendjet apo shpirtin e çdo votuesi të pavendosur që shkon në këto zgjedhje".

Senatorja e Nju Jorkut, Kirsten Gillibrand është demokratja më e fundit që i shtohet listës së kandidatëve presidencialë për zgjedhjet e 2020-s.

Analisti Matt Dallek thotë se ka një arsye se përse kaq shumë demokratë po rreshtohen për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme:

"Nuk do te kishte kaq shumë kandidatë nëse ata nuk do të mendonin se kanë shanse për t’i zënë vendin një presidenti në mandatin e parë. Kjo ndodh për herë të parë që nga viti 1992, kur Bill Clintoni e arriti këtë me Presidentin George H.W. Bush."

Presidenti Trump mund ta ketë forcuar bazën e tij pas raportit të zotit Mueller. Tani, ngritja e akuzave për shkarkimin e Presidentit është diçka edhe më e largët për demokratët e Kongresit.

Demokratët tani ka më shumë gjasa t’i përqendrojnë përpjekjet te mposhtja e zotit Trump në zgjedhjet e ardhshme, thotë analisti Larry Sabato:

"Demokratët duhet të gjejnë një mënyrë për të thyer shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor që mori zoti Trump. Ka mënyra për ta bërë këtë. Por fitorja nuk është aspak e garantuar.”

Presidenti Trump shpreson të ndjekë hapat e presidentëve të tjerë me dy mandate, si Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush dhe të shmangë fatin e babait të zotit Bushi, George H.W. Bush./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat