Sekretari Mnuchin: Bisedime konstruktive për tregtinë me Kinën

Amerika

Sekretari Mnuchin: Bisedime konstruktive për tregtinë me Kinën

Më: 29 mars 2019 Në ora: 18:49
Steven Mnuchin me zëvendës kryeministrin kinez Liu Hë

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin njoftoi të premten nga Pekini se ka zhvilluar bisedime "konstruktive" me zëvendës kryeministrin kinez Liu Hë.

Në një postim në twitter ai shkruante gjithashtu se javën që vjen do të presë zotin Liu Hë për diskutime të mëtejshme në Uashington. 

Një marrëveshje e re mund t’i japë fund tarifave të ashpra që të dy vendet i kanë vendosur njëri-tjetrit gjatë tetë muajve të fundit. Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa ndaj importeve kineze me një vlerë prej 250 miliardë dollarësh, ndërkohë që Kina vendosi tarifa ndaj mallrave amerikane prej 110 miliardë dollarësh.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ndryshime të gjera në politikën industriale kineze, përfshirë dhënien fund të ndërhyrjes në shkallë të gjerë të shtetit në tregje, të subvencionimit të industrive të ndryshme si dhe të vjedhjes së dyshuar të teknologjisë amerikane.

Javën e kaluar Presidenti Donald Trump tha se ishte i bindur se Shtetet e Bashkuara mund të arrinin një marrëveshje me Kinën, por shtoi se "asnjë marrëveshje nuk do të nënshkruhej, nëse nuk bëhej fjalë për një marrëveshje të mirë ".

Sipas këshilltarit ekonomik të Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow, nuk ka afat për bisedimet mes dy vendeve dhe se ato mund të zgjasin me javë ose muaj./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat