SHBA: Senati diskuton për ndryshimet klimatike

Amerika

SHBA: Senati diskuton për ndryshimet klimatike

Më: 29 mars 2019 Në ora: 20:34
Senati amerikan

Të enjten në Senatin amerikan, u mbyll java më e rëndësishme në shumë vite, për çështjen e ndryshimeve klimatike. Një propozim ambicioz për të reformuar tërësisht ekonominë amerikane për të ulur çlirimin e dyoksisid të karbonit dështoi, por në të njëjtën kohë, u hodhën disa hapa të vegjël drejt marrëveshjes dypalëshe mbi kërcënimet që paraqet ngrohja globale.

Senati i udhëhequr nga republikanët të martën e hodhi poshtë "Marrëveshjen e re të gjelbër", një projekt që parashikonte ndalimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektit serrë deri në vitin 2030 dhe rishkrimin e kontratës sociale të Amerikës nëpërmjet zgjerimit të mandateve federale.

Marrëveshja nuk pati mbështetje nga askush, pasi katër demokratë ju bashkuan grupit të unifikuar të republikanëve që e kundërshtuan atë, ndërsa të gjithë demokratët e tjerë, përfshirë edhe mbështetësit e rezolutës, votuan vetëm si "të pranishëm".

Megjithë humbjen, aktivistët mjedisorë gjetën arsye për të shprehur gëzimin e tyre.

"Ne jemi të kënaqur që kjo çështje u shtrua për debat në Senatin e Shteteve të Bashkuara; debati për ndryshimet klimatike është penguar

për disa kohë," i tha Zërit të Amerikës Nënpresidentja për Çështjet Politike të Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit, Elizabeth Gore.

Ndërsa u përpoq që Rezoluta e Klimës të mos miratohej, udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell pranoi se ngrohja globale është një kërcënim i vërtetë, në ndryshim nga presidenti Donald Trump, i cili në mënyrë të përsëritur i ka hedhur poshtë paralajmërimet e shkencëtarëve si "mashtrim".

I pyetur nga gazetarët të martën nëse ai beson se ndryshimi i klimës shkaktohet nga njeriu, zoti McConnell, ligjvënës republikan i Kentakit, tha: "Po, besoj. Por çështja është, si duhet trajtuar? "

Republikanët e kritikuan ashpër Marrëveshjen e re të Gjelbërt si një ëndërr socialiste, duke argumentuar se eliminimi i motorrëve me djegie të brendshme brenda një dekadë, do ta shkatërronte ekonominë e SHBA dhe do të ndryshonte tërësisht mënyrën e jetesës të shumë amerikanëve. "Ne kemi nevojë për traktorë,kemi nevojë për autokombajna, kemi nevojë për kamionë për ta transportuar grurin: të gjitha këto do të jenë shumë të vështira duke eliminuar teknologjinë e tanishme me karburant", tha senatori i Dakotës së Jugut, John Thune.

Në vend të ndërhyrjes së kushtueshme nga qeveria, republikanët bënë thirrje për zhvillimin e novacioneve në këtë fushë.

"Ne duhet të shfrytëzojmë studimet dhe teknologjinë amerikane për t'i siguruar pjesës tjetër të botës mjetet për krijimin e energjisë me kosto të ulët dhe që shkakton më pak ndotje", tha senatori republikan i shtetit Tenësi Lamar Alexander, duke bërë të njohur një propozim për të dyfishuar fondet federale për studime dhe projekte energjetike që shkaktojnë më pak, ose aspak ndotje.

Por demokratët e Senatit thanë se këto hapa të republikanëve janë minimale dhe të vonuara.

Duke vënë në dukje pranimin nga zoti McConnell të ndryshimeve

klimatike, udhëheqësi demokrat i pakicës në Senat, ligjvënësi i Nju Jorkut Chuck Schumer u shpreh me sarkazëm, "Lavdi Zotit. Ai tha "Po". Të tjerë ligjvënës demokratë kritikuan një strategji që synon vetëm novacionet për t'iu kundërvënë ngrohjes globale.

Nga ana e saj, Nënpresidentja për Çështjet Politike të Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit Elizabeth Gore, tha se çdo diskutim dypartiak për ndryshimet klimatike përbën një hap përpara.

"Të pranosh ekzistencën e një problemi është hapi i parë për zgjidhjen e tij," tha ajo. "Mitch McConnell ka pranuar diçka që nuk është përqafuar plotësisht nga anëtarët e partisë së tij vitet e fundit. I mirëpres zërat e rinj në tryezën e diskutimeve," tha ajo.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se amerikanët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për pasojat e ndryshimeve klimatike; një sondazh i kohëve të fundit i Agjencisë Reuters zbuloi që 72 për qind e publikut amerikan e shohin si kërcënim ngrohjen globale.

"Mendoj se nga ato që pamë në Senat këtë javë ishte se të dyja palët (republikanët dhe demokratët) reaguan ndaj ndryshimeve klimatike, duke iu përgjigjur një mjedisi më të gjerë politik", tha analisti politik Molly Reynolds i Institutit "Brookings" në Uashington. "Nëse Kongresi ka potencialin për të vepruar ndaj një legjislacioni në shkallë të gjerë për klimën, thuajse me siguri, që do të ketë nevojë për një mbështetje dypartiake"- tha ai.

Por analisti politik Reynolds shtoi se perspektivat për legjislacionin gjithëpërfshirës tani për tani janë të zbehta.

Pas bllokimit të debatit mbi Marrëveshjen e re të Gjelbër, Senati filloi diskutimin mbi një projekt-ligj për financimin federal për komunitetet amerikane të goditura nga fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, si uraganet, zjarret dhe përmbytjet./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat