Dyshimet për korrupsion, rritet presioni ndaj kryeministrit Trudeau

Amerika

Dyshimet për korrupsion, rritet presioni ndaj kryeministrit Trudeau

Më: 30 mars 2019 Në ora: 12:40
Justin Trudeau

Ish-ministrja kanadeze e Drejtësisë, Jody Wilson-Raybould, ka publikuar audio regjistrimet, që sipas saj, dëshmojnë tendencën e kryeministrit Trudeau për të mbrojtur kompaninë “SNC-Lavalin” në një rast që mund të shndërrohet lehtë në një skandal korrupsioni.

Wilson-Raybould deklaroi se zyrtarët qeveritarë u përpoqën ta bindnin atë për të mbrojtur kompaninë nga një ndjekje penale.

Regjistrimet e kanë tronditur sërish qeverinë e Justin Trudeau i cili tashmë gjendet nën një presion edhe më të madh.

Kompania “SNC-Lavalin” akuzohet se mori kontrata në Libi nën regjimin e Muamar Gadafit përmes ryshfetit.

Megjithatë, sipas ish-ministres së Drejtësisë, qeveria kanadeze dëshiroi të shmangte ndjekjen penale dhe e gjithë çështja të mbyllej me një gjobë për kompaninë.

Në regjistrimin 18-minutësh dëgjohet telefonata mes Wilson-Raybould dhe një zyrtari të lartë qeveritar, me këtë të fundit që në emër të Justin Trudeau kërkon që çështja të mbyllet me një gjobë.

Trudeau ka mohuar se ka tentuar të ndërhyjë në këtë çështje, por ky rast ka bërë që të ulet besimi ndaj tij pak para zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen në muajin tetor.

Për shkak të këtij rasti, dy ministra dhanë dorëheqjen, përfshirë edhe Wilson-Raybould.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat