300 raste të fruthit në 15 shtete amerikane

Amerika

300 raste të fruthit në 15 shtete amerikane

Më: 1 prill 2019 Në ora: 07:32
Komuniteti Rockland ku ka plasur epidemia

Në 15 shtete amerikane, këtë vit, deri më tani, ka patur më shumë se 300 raste të fruthit. Pothuajse gjysma e rasteve janë në distriktin Rockland në veri të Nju Jorkut. Zyrtarët po ua ndalojnë njerëzve të pavaksinuar që të frekuentojnë ambjentet publike.

Për shkak të shpërthimit të epidemisë së fruthit që prej rreth gjashtë muajsh, në Distriktin Rockland të Nju Jorkut është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme.

"Cilitdo nën moshën 18 vjeçare dhe që nuk është vaksinuar për fruthin do t’i ndalohet të shkojë në vendet publike, deri në momentin kur gjendja e emergjencës të skadojë, pas 30 ditëve, ose derisa ata të marrin së paku dozën e parë të vaksinës."- thotë një zyrtar.

Në vendet publike përfshihen qendrat tregtare, restorantet, autobusët dhe trenat. Policia nuk do të kërkojë historinë e vaksinimit, por prindërit mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh dhe deri në gjashtë muaj burg, nëse refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Epidemia ka shpërthyer kryesisht në mesin e komunitetit hebraik ultra ortodoks.

Zyrtari i distriktit thotë se e rëndësishme është që prindërit duhet të kuptojnë rrezikun e fruthit:

"Çdo rast i ri mund të sjellë pasoja, si pneumoni, encefalit, ënjtjen e trurit, ose lindje të parakohshme, që mund të çojë në komplikacione dhe madje edhe vdekje," thotë Ed Day, zyrtar i distriktit Rockland.

E rëndësishme është që të mbahen të sigurtë personat që nuk mund të vaksinohen.

"Po foshnjat që kanë kontakte me nënën dhe babanë? Nipi im për shembull është i porsalindur. Po për gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët, si pacientët dhe të mbijetuarit e kancerit?”

Megjithatë, niveli i vaksinimit në SHBA është i lartë. Një studim i Qendrës për Diagnostikimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, zbuloi se 94 përqind e fëmijëve në SHBA marrin dozën e parë të vaksinave që i mbrojnë nga fruthi, shytat, rubeola dhe sëmundje të tjera të parandalueshme.

Por për vaksinat që merren me faza, përfshirë vaksinën kundër fruthit, situata nuk është aq e mirë.

Disa shtete i lejojnë prindërit që kundërshtojnë vaksinimin e fëmijëve për arsye fetare ose filozofike, që të mos i vaksiojnë fëmijët e tyre. Shkalla e vaksinimit në këto shtete ka rënë vazhdimisht. Në këto kushte, rastet e fruthit janë shtuar.

Disa prindër gabimisht besojnë se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm tek fëmijët. Por një numër studimesh kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë.

"Këto vaksina janë provuar që janë të sigurta, i kemi ndjekur fëmijët që kanë marrë këto vaksina dhe jemi të bindur që ato janë të sigurta për t’u përdorur".

Megjithatë, disa prindër nuk janë të bindur për këtë. Distrikti i Rocklandit po i ofron falas vaksinat e fruthit, në përpjekje për t'i dhënë fund epidemisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat