Pompeo paralajmëron për prezencën e Iranit në Amerikën Latine

Amerika

Pompeo paralajmëron për prezencën e Iranit në Amerikën Latine

Më: 14 prill 2019 Në ora: 11:22
Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thotë se “nuk ka mëdyshje” se Irani ka prezencë financiare në Amerikën Jugore dhe se Teherani vazhdon të jetë “kërcënim global”.

“Paratë iraniane në Amerikën Jugore përdoren për qëllime malinje, për mbështetjen e Hezbollahut, mbështetjen e organizatave kriminale transnacionale, mbështetjen e përpjekjeve për terrorizëm në mbarë rajonin”, tha Pompeo gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, teksa po vizitonte këtë rajon.

Pompo po ashtu potencoi faktin se një fluturim direkt Teheran-Karakas ka nisur javën e kaluar. Kompania ajrore, Mahan Air, është e sanksionuar nga Uashingtoni nën dyshimin se transporton pajisje ushtarake në zonat e luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo është ndërhyrje e Iranit në Amerikën Jugore. Kjo nuk është në interesin e popullit të Amerikës Jugore. Ne e shohim Irani për atë që është: sponsorizuesi më i madh në botë i terrorit”, tha Pompeo.

Pompeo foli për Zërin e Amerikës në Paraguai, teksa po nisej drejt Uashingtonit dhe tha se do të fokusohet në zhvillimet në Venezuelë, ku presidenti i kontestuar Nicolas Maduro po mundohet të qëndrojë në pushtet, teksa po përballet me protesta dhe me një betejë politike, pasi Juan Guaido shpalli veten president të përkohshëm të vendit.

Rusia, Irani, Kina dhe Kuba janë në mesin e shteteve që mbështesin Maduron, teksa Shtetet e Bashkuara, shumica e vendeve evropiane dhe vende të tjera, e mbështesin Guaidon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat