Dhjetëra të akuzuar në operacionin kundër opioideve në SHBA

Amerika

Dhjetëra të akuzuar në operacionin kundër opioideve në SHBA

Më: 18 prill 2019 Në ora: 22:37
Foto ilustrim

Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj 53 individëve në fushën e mjekësisë, përfshirë këtu 31 mjekë, për rolet e tyre në lëshimin e recetave në rrugë të paligjshme për ilaçe me përbërje droge dhe të rrezikshme që në disa raste është bërë në shkëmbim të seksit. Zyrtarët federalë e bënë njoftimin në Cincinati të shtetit Ohajo ndërsa theksuan se puna e tyre në këtë drejtim nuk ka mbaruar.

Mjekë, farmacistë dhe individë të tjerë në fushën e mjekësisë akuzohen se kanë lëshuar receta në kundërshtim me ligjin për ilaçe me përbërje droge dhe të rrezikshme. Autoritetet kanë identifikuar 350 mijë receta të paligjshme për 32 milion tableta. John Martin është me Agjencinë Kundër Drogës që njihet shkurtimisht si DEA.

“Dyshohen 53, përfshi 31 mjekë, 7 farmacistë, nëntë ndihmës mjekë ose infermierë dhe gjashtë të tjerë në fushën e kujdesit shëndetësor. Ngritja e këtyre akuzave është më e madhja lidhur me ilaçet që DEA i konsideron si opiodite.”

Organet e rendit nuk njoftuan emrat e të akuzuarve por thanë se po bëheshin arresime dhe kërkime për individët ndërsa u njoftua ngritja e akuzave. Brian Benczkowski është Ndihmës Prokuror i Përgjitshëm i Shteteve të Bashkuara.

“Nëse të ashtuquajturit profesionistët në fushën e mjekësisë sillen si tregtarë droge, dejtësia amerikane do t’i trajtojë ata si tregtarë droge.”

Pothuajse të gjitha recetat e paligjshme për ilaçe si fentanil dhe ‘oxycodone’ ishin lëshuar në shtetet Alabama, Kentaki, Ohajo, Tenesi dhe Virxhinia Perëndimore. Rastet më skandaloze përfshijnë një mjek në Dejton të Ohajos i cili lëshoi receta për 1.75 milion tableta në dy vite. Rasti tjetër flet për një mjek në Alabama i cili akuzohet se ka rekrutuar gra për të kryer mardhënie seksuale dhe i ka lejuar ato të përdornin opioide në shtëpinë e tij.

“Abuzimi me opioide është një epidemi e fshehtë e krijuar kryesisht nga lëshimi i tepruar i recetave me ilaçe me përbërje të fortë droge në mbarë vendin. Fatkeqësisht zona Apalashe është në qendër. Epidemia ka çuar në një brez të ri njerëzish që vuajnë nga varësia. DEA ka qënë pjesë e përpjekjeve në vijën e frontit në këtë luftë dhe ka luajtur rol qendror. Po përdorim të gjitha mjetet dhe metodat për zbatimin e ligjit nga 1.8 milion profesionistë të regjistruar”- tha zoti John Martin.

Mbi 42 mijë amerikanë humbën jetën nga mbidoza me opioide në vitin 2016 ndërsa numrat po shohen. Presidenti Donald Trump e ka quajtur krizën e opioideve një emergjencë shëndetësore publike. Në vitin 2018 presidenti shpalosi “Nismën Ndal Abuzimin me Opioide” për t’u ballafaquar me forcat nxitëse pas krizës. Mes masave përfshihet edhe njohja e publikut mbi rreziqet nga opioidet, shkurtimi i zinxhirit të furnizmit të brendëshëm dhe ndërkombëtar të drogave të paligjshme dhe ndihma për të varurit që të dalin nga kjo epidemi./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat