Pyetje të reja për rolin e Presidentit pas publikimit të raportit Mueller

Amerika

Pyetje të reja për rolin e Presidentit pas publikimit të raportit Mueller

Më: 19 prill 2019 Në ora: 17:52
Presidenti amerikan Donald Trump

Pas një hetimi prej 22 muajsh, publiku dhe kongresi amerikan arritën të shohin të enjten raportin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Raporti nuk gjeti prova për konspiracion mes fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Rusisë, por zoti Mueller dhe ekipi i tij nuk mundi të përcaktonte nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Demokratët e opozitës po marrin shkas nga çështja e pengimit të drejtësisë në raport, për të këmbëngulur për hetime të mëtejshme në Kongres.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ishte entuziast pas publikimit të raportit:

“Është një ditë e mirë. U arrit përfundimi: jo bashkëpunim i qëllimshëm, jo pengim drejtësie. Asnjëherë nuk kishte dhe nuk do të ketë”.

Por raporti paraqet një tablo të ndryshme për çështjen e pengimit të drejtësisë, duke përmendur disa raste kur presidenti u përpoq të ndikonte tek hetimi.

Në një rast, zoti Trump urdhëroi juristin e Shtëpisë së Bardhë Don McGahn që të realizonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller, thotë Chad Day i agjencisë Associated Press:

“McGahn e kundërshtoi këtë përpjekje, por tregon se si presidenti, dhe raporti e citon atë, e konsideronte hetimin si një fund të mundshëm të presidencës së tij dhe diçka që do të kërcënonte pushtetin e tij”.

Raporti përshkruan kontakte të shumta mes bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump dhe rusëve në vitin 2016, por arrin në përfundimin se kishte mungesë provash për konspiracion criminal mes fushatës dhe Rusisë.

Por zoti Mueller nuk bën vetë një gjykim nëse presidenti u përpoq të pengonte drejtësinë. Raporti nuk arriti në përfundimin se zoti Trump kreu ndonjë krim, por as nuk e shfajëson atë.

Përfundimisht ishte Prokurori i Përgjithshëm, William Barr që vendosi që të dhënat për pengim të drejtësisë nuk justifikonte masa të mëtejshme ligjore.

“Përveç çështjes nëse këto veprime ishin penguese, prova e motiveve jokorruptive është shumë më e fortë sesa çdo akuzë se presidenti kishte synime korruptive për të penguar hetimin”, thotë zoti Barr.

Demokratët ishin të shqetësuar nga detajet e pengimit të mundshëm të drejtësisë dhe menjëherë u zotuan se do të hetonin më tej, siç tha kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerold Nadler.

“Prokurori i Posaëçm e bën të qartë se ai nuk e ka shfajësuar presidentin dhe përgjegjësia bie tani mbi Kongresin që ta vërë presidentin para përgjegjësisë për veprimet e tij. Kongresi duhet të marrë një raport të plotë, të paredaktuar së bashku me të dhënat e zbuluara nga prokurori i posaçëm, Mueller”.

Pyetjet e mbetura për pengimin e drejtësisë mund të vazhdojnë të hedhin një hije dyshimi mbi Shtëpinë e Bardhë, thotë analisti ligjor David Abraham:

“Nuk jam i sigurt që përfundimet përbëjnë një fitore për presidentin. Por ato pretendime bien ndesh si në faktet që kanë të bëjnë me efektivitetin e ndërhyrjeve ruse, ashtu edhe me përmasat e përpjekjeve të pengimit nga Shtëpia e Bardhë, që nga presidenti edhe më poshtë”.

Përplasjet e vazhdueshme për raportin Mueller, lënë të kuptohet se debati ligjor dhe politik mbi veprimet zotit Trump, mund të zvarritet për një kohë të pacaktuar, thotë analisti politik, Bill Sweeney.

“Nëse kjo vazhdon për javë dhe muaj me radhë, do të jetë një çështje tjetër përçarëse në një vend që është i përçarë”. Prokurori i Përgjithshëm Barr ka marrë thirrje për të dëshmuar në Kongres muajin e ardhshëm dhe demokratët duan gjithashtu që edhe vetë Prokurori i Posaçëm Mueller të dalë në seancë në të ardhmen e afërt./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat