20 vjet nga sulmi më famëkeq në një shkollë amerikane - Bota Sot
20 vjet nga sulmi më famëkeq në një shkollë amerikane

Amerika

20 vjet nga sulmi më famëkeq në një shkollë amerikane

Më: 29 prill 2019 Në ora: 07:12
Shkolla e Mesme Kolumbajn

Këtë muaj mbushen njëzet vjet që kur dy nxënës të armatosur vranë 13 vetë në Shkollën e Mesme Kolumbajn pranë Denverit në Kolorado. Ishte një nga sulmet e para me armë në një shkollë amerikane që ndryshoi mënyrën se si shkollat dhe organet e ligjit përgatiten të përballen me autorë sulmesh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Doha Mekouar na ka dërguar këtë kronikë.

Dje në Shkollën e Mesme Kolumbajn, nuk ka gjurmë të dukshme të njërit prej sulmeve më famëkeqe në historinë e shkollave amerikane që ndodhi këtu 20 vjet më parë.

Mbi një kodër është përmendorja e ngritur për të nderuar njerëzve që humbën jetën më 20 prill 1999. Stadiumi ka marrë emrin e drejtorit që e udhëhoqi shkollën përmes krizës. Fusha e softbollit nderon mësuesin Dave Sanders, i cili u vra në një klasë, ndërsa priti disa orë për ndihmë mjekësore. Protokolli në atë kohë kërkonte që oficerët e policisë të prisnin jashtë dhe të siguronin perimetrin e ndërtesës deri sa të mbërrinte ekipi i specializuar i SWAT.

“Më 1999-ën kjo ishte procedura. Oficerët shkonin në zonën e rrezikut dhe prisnin. Tani trajnimi është ndryshe.…Ata shkojnë drejt e tek sulmuesi. Ata bëjnë të pamundurën për të neutralizuar kërcënimin. Ta identifikojnë dhe ta neutralizojnë me shpresën për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish”, thotë sherifi Jeff Shrader.

Përgjigjia e shpejtë ndaj një sulmi në shkollë nuk është e vetmja gjë që ka ndryshuar që nga incidenti në Kolumbajn. Shumica e dyerve që të çojnë në një shkollë janë të mbyllura dhe duhet t’i bihesh ziles që të futesh brenda. Brenda shkollave janë vendosur më shumë policë. Dhe dyert e klasave tani mund të mbyllen.

“Ndryshoi mbyllja e dyerve për të ndaluar dikë të hyjë në klasë dhe që nxënësit të mund të kyçin derën. U vendosën shtresa në xhamat e dritareve që i bëjnë ato rezistente ndaj plumbit”, thotë sherifi Jeff Shrander.

Sipas Shërbimit Sekret, autorët e sulmeve në shkolla janë zakonisht njerëz që kanë një lloj tensioni – një dështim, një sfidë apo një humbje që i bën të ndërmarrin sulmin.

“Ata e kanë të vështirë të përballojnë padrejtësinë e perceptuar ndaj tyre apo bulizmin që u ka ndodhur në shkollë, qoftë reale apo thjesht e imagjinuar. Kanë ndjesinë se janë bulluar dhe në shumicën e rasteve, këta nxënës kanë qënë në fakt të bulluar”, thotë Lina Alathari me Shërbimin Sekret.

Hetuesit e FBI-së arritën në përfundimin se vrasësit në Kolombajn nuk ishin bulluar. Sot, Shërbimi Sekret rekomandon që të gjitha shkollat të krijojnë një ekip për vlerësimin e kërcënimeve, të përbërë nga mësues, këshilltarë dhe të tjerë, për të identifikuar nxënësit në gjendje depresive ose që mund të shfaqin probleme me sjelljen. Qëllimi? Të parandalohet dhuna përpara se të ndodhë.

“Nëse notat e një nxënësi bien, nëse ata përjetojnë mendime vetvrasjeje, në se bëhen më të izoluar , nëse ndryshojnë sjelljen e tyre. Këto janë skenarët kur duhet të ndërhyhet”, thotë Lina Alathari.

Rreth 90 për qind e shkollave amerikane kanë një plan për atë që duhet të bëjnë në rast të një sulmi. Sipas departamentit amerikan të Arsimit, shtatëdhjetë për qind e shkollave stërvisin nxënësit duke përdorur këtë plan stërvitor.

Por e mbijetuara e Kolumbajnit, Samantha Haviland, e cila tani është drejtoreshë e këshillimit për Shkollat Publike të Denverit, është e shqetësuar se si kjo praktikë ndikon tek nxënësit.

“T’u kujtosh gjithmonë nxënësit se nuk janë të sigurtë, nuk janë të sigurtë, u shkakton shumë ankth… dhe kemi nxënës që hidhen nga dritaret gjatë këtyre stërvitjeve pasi mendojnë se po ndodh vërtetë sulm nëse dikush rrëzon librin në kohën e gabuar”, shpjegon Samantha Haviland.

Shërbimi Sekret thotë se në 81 për qind të incidenteve të sulmeve në shkolla që ka studiuar, nxënës të tjerë e dinin se i dyshuari i mundshëm ishte gati të kryente një sulm ose ishte i interesuar ta bënte një gjë të tillë.

Më shumë shkolla po miratojnë procedura që u mësojnë nxënësve se si të raportojnë në mënyrë të sigurt sjelljet e dyshimta.

“Është e rëndësishme për fëmijët të thonë kur shohin apo dëgjojnë diçka të dyshimtë, por pastaj ne si të rritur duhet të veprojmë dhe ky është një element i rëndësishëm”, thotë Frank DeAngelis, ish drejtor i Shkollës së Mesme Kolumbajn./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...