SHBA: Anëtarë të Kongresit paraqesin rezolutë për rëndësinë e shtypit të lirë

Amerika

SHBA: Anëtarë të Kongresit paraqesin rezolutë për rëndësinë e shtypit të lirë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 17:45
Kongresi amerikan

Ligjvenësi demokrat Adam Schiff dhe ai republikan Steve Chabot, bashkëkryetarë të grupit për lirinë e shtypit në Kongresin amerikan, paraqitën sot një rezolutë për të theksuar rëndësinë që ka një shtyp i lirë dhe për të dënuar sulmet ndaj gazetarëve.

Rezoluta mbi-partiake, bëhet me rastin e Ditës së Lirisë së Shtypit që është të premten. Rezoluta e vë theksin tek kërcënimi i lirisë së shtypit dhe shprehjes së lirë në mbarë botën, tek rëndësia që ka një shtyp i lirë dhe i pavarur për një demokraci të shëndetshme dhe ripohon se liria e shtypit është një ndër përparësitë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

“Çdo ditë gazetarët rrezikojnë jetën në disa prej vendeve me regjimet më shtypëse në botë duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për të ekspozuar korrupsionin dhe abuzimet”, u shpreh ligjvenësi i Kalifornisë Adam Schiff.

“Një shtyp i lirë dhe i pavarur është jetik për t’i mbajtur qeveritë përgjegjëse”, theksoi ligjvenësi republikan i Ohajos, Steve Chabot, duke paraqitur rezolutën.

Një rezolutë e ngjashme do të paraqitet edhe në Senatin amerikan, nga senatorët Marko Rubio, republikan i shtetit të Floridës dhe Bob Mendez, demokrat i shtetit të Nju Xhersit.

Në vitin 1993, Kombet e Bashkuara caktuan 3 majin si Ditën Lirisë së Shtypit, për të nderuar parimet e shtypit të lirë dhe për t’u bërë homazh gazetarëve që kanë humbur jetën në detyrënë mbarë botën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat