Ashpërsohet klima politike në SHBA

Amerika

Ashpërsohet klima politike në SHBA

Më: 2 maj 2019 Në ora: 19:14
Kryetari i Komitetit për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Jerrold Nadler, gjatë seancës dëgjimore.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, po pretendon se Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, ka kryer krim pasi e gënjeu Kongresin.

Deklarata e Pelosit bëhet pasi prokurori Barr refuzoi t’i përgjigjet Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve që udhëhiqet nga demokratët, disa orë pasi ai dëshmoi në Komitetin për Drejtësi të Senatit që kontrollohet nga republikanët.

Pelosi nuk ka thënë se cilës dëshmi të prokurorit po i referohej kur përmendi se ai ka kryer krim. Pelosi, gjithashtu, tha se refuzimi i administratës për t'iu përgjigjur thirrjes së Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve është “çështje shumë serioze” duke kujtuar se mosbindja e thirrjeve të Kongresit ishte një nga nenet e fajësisë kundër ish-presidentit Richard Nixon.

Çfarë po ndodh në politikën e SHBA-së?

Më 24 mars, këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller, dorëzoi raportin e hetimit dy vjeçar për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.

Pasi e pranoi raportin, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, e publikoi vetëm një përmbledhje të tij duke thënë se ekipi i Muellerit nuk kishte gjeturndonjë të dhënë se presidenti Trump apo fushata e tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet ruse.

Demokratët kërkuan publikimin e plotë të raportit duke e akuzuar prokurorin Barr se po e mbron presidentin Trump.

Presidenti Donald Trump gjatë tërë kohës ka deklaruar se kjo është një “gjueti shtrigash” ndaj tij dhe se ai nuk ka bashkëpunuar me rusët.

Më 18 prill, prokurori Barr e bëri publik raportin e redaktuar duke thënë se asnjë material nuk është redaktuar në bazë të “privilegjit ekzekutiv” të presidentit amerikan, Donald Trump.

*Video nga arkivi: Barr: Nuk ka pasur bashkëpunim Trump-Rusi

Barr ka thënë se hetimet e Muellerit kanë gjetur të dhëna se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, por nuk është gjetur dëshmi se fushata e presidentit Trump ka bashkëpunuar me rusët.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, menjëherë publikoi një fotografi në rrjetin social, Twitter me mbishkrimin: Nuk ka bashkëpunim, nuk ka ndërhyrje. Për inatxhinjtë dhe demokratët radikalë - loja ka marrë fund”.

Mirëpo, gazeta Washington Post më 1 maj raportoi se Këshilltari i Posaçëm në SHBA, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen e ruse në zgjedhjet amerikane, i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr në të cilën thotë se përmbledhja e raportit të tij që është bërë publike “nuk e përfshinë në mënyrë të plotë kontekstin, natyrën dhe thelbin” e konkluzioneve të hetimit.

Ndërkohë, Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka lëshuar një urdhër për të marrë raportin e plotë të hetimit që e ka zhvilluar këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Kryetari i Komitetit, Jerrold Nadler, tha në një deklaratë se ai nuk mund të pranojë një version të redaktuar që "lë shumicën e Kongresit në errësirë".

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve ftoi për dëshmi prokurorin Barr, mirëpo ai refuzoi të marrë pjesë në këtë seancë.

Barr kishte kundërshtuar formatin e seancës, pasi demokratët vendosën të lejojnë avokatët e stafit të marrin në pyetje prokurorin Barr.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se kjo është “patetike” prej anës së demokratëve. Megjithatë, prokurori Barr dëshmoi disa orë më parë në Komitetin e Senatit që e kryesojnë republikanët./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat