Raporti i Muellerit: Thellohen përçarjet midis demokratëve dhe Departamentit të Drejtësisë

Amerika

Raporti i Muellerit: Thellohen përçarjet midis demokratëve dhe Departamentit të Drejtësisë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 15:15
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka gënjyer Kongresin amerikan.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, demokratja Nancy Pelosi, tha se Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, e ka gënjyer Kongresin.

Akuzat vijnë pas dëshmisë së prokurorit Barr përpara një paneli të Senatit në lidhje me raportin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Video nga arkivi: Barr thotë se nuk ka pasur bashkëpunim Trump-Rusi

Barr u përball me pyetje të vështira për vendimin e tij për të shfajësuar presidentin Donald Trump nga pengimi i drejtësisë.

Por, ai refuzoi të dëshmojë të enjten para Komitetit të Drejtësisë, të udhëhequr nga demokratët.

Situata tani ngre mundësinë që Barr, zyrtari më i lartë ligjor i Amerikës, të mbahet përgjegjës për mospërfillje të Kongresit.

“Ai e ka gënjyer Kongresin. Dhe, nëse dikush tjetër do ta bënte këtë, do të konsiderohej krim”, tha Pelosi.

"Askush nuk është mbi ligjin", shtoi ajo.

Akuzat e Pelosit vijnë pasi Barr tha se ai nuk ka ditur se Mueller ka pasur ndonjë ankesë rreth përmbledhjes që i ka bërë ai raportit të tij.

Mueller tha se i ka shkruar letër prokurorit Barr, duke i thënë se përmbledhja e tij nuk ka “kontekst”.

Mueller tha se i ka kërkuar dy herë Barrit për të publikuar më shumë informacione rreth hetimeve të tij.

"Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara nuk ia tregoi të vërtetën Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ky është krim", tha Pelosi.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec, tha se “sulmi i pabazuar kundër prokurorit të përgjithshëm është i papërgjegjshëm”.

Barr e publikoi raportin e Muellerit më 18 prill, me disa pjesë të redaktuara, për të mbrojtur, siç u tha, informacionet e ndjeshme.

Disa demokratë bënë thirrje që Barr, i cili është emëruar nga Trump, të japë dorëheqje.

Pelosi po ashtu tha se administrata Trump vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e detyrueshme të Kongresit për gjyq dhe kujtoi se Kongresi ka nisur procedurë të votëbesimt kundër ish-presidentit Richard Nixon, pasi ky i fundit u ka rezistuar thirrjeve të ngjashme.

Trump tha në një intervistë për Fox News se nuk do ta lejojë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të dëshmojë para komiteteve të Kongresit.

Kryetari i Komitetit për Drejtësi, Jerrod Nadler, lëshoi thirrje të detyrueshme për gjyq për McGahnin, për të dëshmuar për pengimin e mundshëm të drejtësisë nga ana e presidentit Trump.

Trump tha se McGahn ka folur tashmë me ekipin e Muellerit për 30 orë.

Në raportin e tij, Mueller, ish-drejtor i FBI-së, ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Trump ka bashkëpunuar me Rusinë, por ka zgjedhur të mos konkludojë nëse Trump e ka penguar drejtësinë.

Barr ka thënë se ai dhe Rod Rosenstein, zyrtari numër dy në Departamentin e Drejtësisë, kanë konstatuar pastaj se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta akuzuar Trumpin për pengim të drejtësisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat