Shteti i Alabamës nëshkruan ligjin që penalizon abortin

Amerika

Shteti i Alabamës nëshkruan ligjin që penalizon abortin

Më: 16 maj 2019 Në ora: 19:03
Guvernatorja e Alabamës

Guvernatorja e Alabamës nënshkroi mbrëmë një ligj që penalizon abortin në pothuajse të gjitha rastet, duke përfshirë shtatëzanitë që rezultojnë nga përdhunimi ose incesti. Ligje të ashpra për abortin janë miratuan më herët në shtetet e Ohajos, Xhorxhias, Kentakit dhe Misisipit. Një numër në rritje i shteteve të tjera që kundërshtojnë abortin mund të ndjekin të njëjtin shembull. Kjo tendencë po rrit shqetësimet se konservatorët do të kërkojnë ta bëjnë abortin të paligjshëm në të gjithë vendin, duke i detyruar gratë të zgjedhin metoda të pasigurta për t'i dhënë fund shtatëzanive të padëshiruara.

Aborti është një nga çështjet më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara me qëndrime të forta në të dy anët.

Guvernatorja e Alabamës, Kate Ivey, e njohur si kundërshtare e fuqishme e abortit, nënshkroi ligjin të mërkurën. E pyetur nëse do të preferonte një projekt-ligj që përfshin përjashtime për përdhunimin dhe incestin, zonja Ivey tha se "të gjitha jetët e njeriut janë të çmuara". Para nënshkrimit, ajo tha se mundësia e sfidave të gjata dhe të kushtueshme ligjore ndaj ligjit të debatueshëm nuk do të ndikonin vendimin e saj.

"Pa dyshim përpjekjet për të mbrojtur të palindurit nuk mund pengoghen nga kostoja, edhe nëse do të na duhet të shkojmë deri në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara".

Kundërshtarët e abortit janë duke u përgatitur për një betejë edhe më të madhe – për një përpjekje për të përmbysur vendimin e Gjykatës së Lartë amerikane të vitit 1973 në rastin e njohur si Roe kundër Wade. Vendimi historik i jep grave të drejtën për të vendosur nëse duhet të bëjnë abort. Me një shumicë konservatore aktualisht në Gjykatën e Lartë, kundërshtarët e abortit besojnë se kanë një shans të mirë për të

arritur sukses. Nismëtarja e ligjit për abortin në Alabama, republikania Terri Collins, është një prej tyre.

"Ne po përpiqemi për të zgjidhur çështjen e abortit, e cila siç është vendosur nuk e trajton foshnjen në barkun e nënës si një person".

Gjatë demonstratave, ata që protestojnë kundër ndalimit të abortit shpesh vishen me fustanella të kuqe dhe kapele të bardha duke imituar personazhet në serialin "The Handmaid’s Tale".

"Filmi flet për për autonominë e grave, sepse gratë janë trajtuar pothuajse si fabrika të mbarështimit dhe ne besojmë se ligje si këto, bëjnë të njëjtën gjë", thotë një protestuese nga Alabama.

Senatori i Alabamës Bobby Singleton, një demokrat, e kundërshtoi projektligjin.

"U kërkoj ndjesë grave të Alabamës për këtë ligj arkaik që miratuam".

Para Alabamës, shteti i Ohajos miratoi një ligj që ndalon abortet pasi mjeku të ketë diktuar të rrahurat e zemrës së një fetusi, që në shumë raste ndodh para se një grua të jetë e vetëdijshme se është shtatzënë. Ligje të ngjashme janë miratuar edhe në Xhorxhia, Kentaki dhe Misisipi. Projektligje të ashpra për abortin po shqyrtohen në disa shtete të tjera, përfshirë Floridën, Illinoin, Luizianën, Minesotën, Karolinën e Jugut dhe Tenesinë. Kundërshtarët e këtyre ligjeve mund t'i drejtohen Gjykatës së Lartë dhe analistë thonë se projektligjet tepër të ashpra mund të hidhen poshtë nga Gjykata./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat