Ndalohen kamerat për të identifikuar persona të dyshuar

Amerika

Ndalohen kamerat për të identifikuar persona të dyshuar

Më: 17 maj 2019 Në ora: 06:15
Ilustrim

San Francisko e Kalifornisë është bërë qyteti i parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndalon policinë dhe departamente të tjera të qytetit që të përdorin teknologji të identifikimit të njerëzve përmes kamerave të sigurisë.

Ligjvënësit e qytetit votuan 8-1 të martën duke miratuar ndalimin e teknologjisë që identifikon fytyrën e individit.

Kjo është pjesë e një legjislacioni më të gjerë që u kërkon organeve të rendit në San Francisko të marrin miratimin e Bordit të Mbikëqyrësve për të vazhduar të përdorin apo blejnë këtë lloj teknologjie.

Aaron Peskin është anëtar i Bordit të Mbikëqyrësve të qytetit të San Franciskos.

“Ka shumë mënyra për ta siguruar shoqërinë tonë pa jetuar në masa të rrepta sigurie. Kemi shërbime të mira policie, por nuk duam të jetojmë në një shtet policor. Legjislacioni përpiqet të arrijë këtë balancë.”

Legjislacioni ndalon përdorimin teknologjisë së identifikimit të fytyrës në nivele të qeverisë lokale, por jo në aspektin personal, bizneset apo qeverinë federale.

Mbështetësit e privatësisë kanë kundërshtuar përkrahësit e masave për sigurinë publike gjatë disa dëgjesave të zjarrta publike në San Francisko, një qytet i mbushur me novacione teknologjike dhe qendra e kompanive Twitter, Airbnb dhe Uber.

Mbështetësit e ndalimit të teknologjisë së identifikimit të fytyrës thonë se teknologjia jo vetëm që ka të meta, por është një kërcënim serioz për të drejtat civile.

Kundërshtarët thonë se policia ka nevojë për ndihmë në kapjen e keqbërësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat