Fermerët amerikanë nën barrën e tarifave

Amerika

Fermerët amerikanë nën barrën e tarifave

Më: 18 maj 2019 Në ora: 19:51
SHBA

Mosmarrëveshjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po ndikojnë negativisht tek fermerët amerikanë. Prodhimet e sojës dhe misrit tani eksportohen me tarifa më të rënda gjë që ka rritur konkurrencën nga eksportues të tjerë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, fermerët nuk janë të shqetësuar vetëm për rënien e fitimeve, por edhe për ndikimet afatgjata në sektorin e bujqësisë që për shumë prej tyre është i vetmi biznes që kanë njohur prej disa brezash:

Jeta në fermë ka një ritëm rutinë. Tani kësaj rutine i është shtuar edhe shqetësimi i tarifave, thotë fermerja Pam Johnson nga qyteti Floid në Ajova:

“Sapo zgjohem bëj kafenë. Pastaj hap kompiuterin dhe shoh çmimet e ditës për drithrat dhe sojën. Këto kohë gjithmonë më krijohet ankth pasi çmimet kanë rënë vazhdimisht. Tani janë në nivelin më të ulët në pesë muaj”.

Zonja Johnson dhe bashkëshorti i saj janë fermerë prej gjashtë brezash. Ashtu si fermerë të tjerë, sot ata ndeshen me një ndër situatat më të vështira të jetës:

“Po shtrëngojmë rripin,” thotë zonja Johnson.

Ndërkohë që përgatiten për mbjelljet e pranverës, fermerët amerikanë i tremben mundsisë që për të gjashtin vit do të ndeshen me rënie të të ardhurave. Kostot e prodhimit për misrin dhe sojën janë rritur ndërsa çmimi i shitjes së produktit ka rënë.

Ende nuk ka garanci për mbështetjen nga Kongresi të një marrëveshjeje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën. Po ashtu lufta tregtare me Kinën që ka sjellë rritje të ndërsjelltë të tarifave i ka kthyer këto beteja politike në shqetësime afatgjata për fermerët:

“Me sa dëgjojmë mund të duhet të presim deri në vitin 2025 para se të shohim rikthimin e fitimeve në këtë sektor, por ka mundësi të mos rikthehen fare. Kjo na tremb më shumë, fakti që dëmi që po bëhet është i pariparueshëm,” thotë zonja Johnson.

Dëmin mund ta ndjejë djali i çiftit, Ben Johnson, kur të marrë në dorë biznesin e familjes.

“Të gjitha bizneset bujqësore do të vuajnë. Ndjehet dallimi mes biznesit që mezi mbijeton dhe një biznesi në lulëzim,” thotë Beni.

Familja Johnson thotë se po thellohet hendeku mes fermerëve dhe pjesës tjetër të forcës punëtore amerikane, sidomos me politikat tregtare që po ndjek Uashingtoni që ata thonë se janë të dëmshme për sektorin e tyre:

“Duam të kemi sa më shumë shkëmbime tregtare, duam tregti sa më të hapur me sa më shumë vende. Ne jemi njësoj si bizneset e tjera. Duam sa më shumë klientë. Fakti që po nxjerrin politika që qëllimisht e dekurajojnë tregtinë është irritues,” thotë Ben.

“Zhgënjehem kur shoh se termi ‘tregti’ është bërë fjalë e pistë për të dyja partitë,” thotë zonja Johnson.

Pam Johnson thotë se nuk votoi për Presidentin Trump në zgjedhjet e 2016-ës si rezultat i pikëpamjeve të tij për tregtinë. Ajo shprehet se vazhdon të ketë të njëjtin qëndim:

“Të thuash ‘unë jam njeri që dua tarifat’ apo të thuash ‘është lehtë të fitosh në një luftë tregtare’ janë deklarata shqetësuese për mua. Ka ende plot fermerë që vazhdojnë ta përkrahin Presidentin Trump. Por farat e skepticizmit janë mbjellë. Ende nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont, në fakt gjërat po bëhen më shqetësuese, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e 2020-ës,” thotë zonja Johnson.

Pam Johnson shprehet se suksesi i biznesit familjar varet nga suksesi i politikave tregtare amerikane:

“Nuk dua që Presidenti Trump të dështojë në këto përpjekje. Duam që ai të ketë sukses në mënyrë që të gjithë të dalim të fituar”. Djali i saj pret me padurim për një zgjidhje pozitive:

“Për këtë vit është mbyllur periudha më fitimprurëse e shitjes së sojës, pra që tani jemi me vonesë. Ndoshta nuk është kurrë vonë, por sa më parë të zgjidhet, aq më mirë,” thotë Ben Johnson. Ndërkohë që vazhdojnë negociatat, administrata Trump thotë se po punon për të hartuar një program ndihmash për fermerët që janë dëmtuar nga përplasjet tregtare./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat