SHBA, degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisë, të përçara për raportin Mueller

Amerika

SHBA, degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisë, të përçara për raportin Mueller

Më: 23 maj 2019 Në ora: 17:39
Presidenti amerikan Donald Trump

Një takim mbi infrastrukturën të mërkurën mes Presidentit Donald Trump dhe demokratëve të Kongresit dështoi, pasi presidenti u përplas me opozitën që e ka akuzuar atë për një "mbulim-provash", duke kundërshtuar hetimet e Kongresit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara, pavarësisht përfundimit të hetimit të prokurorit Mueller për ndërhyrjen ruse, degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisë ende nuk po arrijnë të punojnë së bashku në projekte që të dyja palët thonë se duan të realizojnë.

Ishte një paraqitje spontane nga Presidenti Donald Trump në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai papritmas ndërpreu një takim të planifikuar të mërkurën me krerët demokratë të Kongresit për të diskutuar rimëkëmbjen e infrastrukturës së vendit.

“Në vend që të shkoja në një takim të mirë, hyra në një takim ku m’u tha se po bëja mbulim-faktesh. Unë nuk e bëj këtë”- tha Presidenti.

Presidenti po i referohej një komenti të bërë nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi pas një takimi me demokratët në kongres dje paradite.

"Askush nuk është mbi ligjin, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ne besojmë se presidenti është i angazhuar në fshehjen e së vërtetës."

Presidenti Trump dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët janë mbërthyer në një betejë mbi mbikëqyrjen e kongresit pas përfundimit të hetimit të Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Ky ngërç po shtyn mënjanë një axhendë dypartiake, përfshirë infrastrukturën, të cilën të dyja palët thonë se duan të realizojnë.

"Ne ende kemi nevojë për një infrastrukturë prej 2 trilionë dollarësh. Pra është paksa e pavend që takimi nuk u zhvillua dhe që çështje të tjera hyjnë në lojë. Por ne ende duam të shohim një projekt-ligj dypartiak të infrastrukturës, publiku amerikan e di se ekziston një nevojë e rëndësishme për këtë dhe kërkon një zgjidhje dypalëshe, prandaj shpresojmë se të dyja palët do të kthehen në tavolinë e bisedimeve”, thotë Michele Nellenbach me Qendrën për Politika Dypartiake.

Presidenti Trump ka thënë se dëshiron të arrijë një marrëveshje dypartiake për infrastrukturën, por thotë se nuk mund të punojë tani me demokratët.

"Nuk mund të punohet në këto rrethana. Përfundoni njëherë këto hetime të sajuara".

Disa momente më vonë në Kongres, udhëheqësi i pakicave në Senat Chuck Schumer akuzoi presidentin për orkestrimin e ndërprerjes së takimit si një justifikim për të mos negociuar për infrastrukturën.

"Ai po kërkon çdo lloj justifikimi. Qoftë për tregtinë, apo kur nuk do të paguajë për ndonjë financim. Sot nxorri justifikim se po zhvillohen hetime.Çfarë? Hetimet ishin edhe para tre javësh kur u takuam."

Raporti Mueller nuk gjeti prova të bashkëpunimit mes fushatës së presidentit Trump dhe Moskës, por e la të hapur çështjen nëse presidenti pengoi drejtësinë gjatë hetimit.

Demokratët qysh atëherë kanë nisur disa hetime dhe kanë lëshuar disa thirrje për paraqitje të detyruar të disa anëtarëve të administratës Trump, duke përfshirë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn. Të gjitha këto thirrje, janë injoruar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat