Trump: Huawei mund të jetë pjesë e marrëveshjes tregtare me Kinën

Amerika

Trump: Huawei mund të jetë pjesë e marrëveshjes tregtare me Kinën

Më: 24 maj 2019 Në ora: 08:20
Donald Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka thënë se Huawei mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje tregtare ndërmjet SHBA dhe Kinës, pavarësisht se firma e telekomunikacioneve është "shumë e rrezikshme".

Lufta e tregtisë SHBA-Kinë është përshkallëzuar në javët e fundit me rritjen e tarifave dhe kërcënimet për më shumë veprime.

Uashingtoni ka shënjestruar Huawei duke e vendosur firmën në listën e zezë tregtare.

SHBA argumenton se Huawei përbën një rrezik të sigurisë kombëtare, ndërsa Pekini akuzon SHBA për "ngacmimin" e kompanisë.

"Huawei është diçka shumë e rrezikshme", u tha gazetarëve Trump në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

"Ju shikoni se çfarë kanë bërë nga pikëpamja e sigurisë, një pikëpamje ushtarake, shumë e rrezikshme".

Javën e kaluar, administrata Trump e shtoi Huawei, krijuesi i dytë më i madh në botë i smartfonëve, në "listën e njësive" të saj, e cila ndalon kompaninë nga blerja e teknologjisë nga firmat amerikane pa miratimin e qeverisë.

Por Trump ka thënë se është "e mundshme" që kompania  të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje tregtare me Pekinin.

"Nëse bëjmë një marrëveshje, unë mund të imagjinoj që Huawei të përfshihet ndoshta në ndonjë formë apo pjesë të saj", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat