Mueller, deklaratë rreth hetimit për Rusinë - Bota Sot
Mueller, deklaratë rreth hetimit për Rusinë

Amerika

Mueller, deklaratë rreth hetimit për Rusinë

Më: 29 maj 2019 Në ora: 16:57
Robert Mueller

Në SHBA, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller do të bëjë të mërkurën një deklaratë rreth hetimit të tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Këto janë komentet e para publike të prokurorit të posaçëm rreth hetimit që zgjati 22 muaj.

Deklarata e zotit Mueller vjen pas një shkrimi të publikuar në gazetën The Guardian e cila i referohet një libri të ri me autor Michael Wolff ku pretendohet se Prokurori i Posaçëm kishte përgatitur një padi me tre akuza kundër zotit Trump, përpara se të vendoste t’i hiqte ato.

Zëdhënësi i Prokurorit të Posaçëm Peter Carr i tha gazetës The Guardian se "dokumentet për të cilat ajo flet nuk ekzistojnë".

Nuk është ende e qartë se çfarë do të thotë zoti Mueller në deklaratën e tij. Departamenti i Drejtësisë njoftoi se ai do të mbajë vetëm një deklaratë dhe nuk do të pranojë pyetje.

Zoti Mueller e përfundoi hetimin e tij rreth nderhyrjes së Rusisë në zgjedhje në fund të muajit mars duke dalë në përfundimin se nuk gjeti prova për një marrëveshje të fshehtë mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump dhe Moskës. Megjithatë ai nuk doli në një përfundim lidhur me pyetjen nëse Presidenti Trump pengoi drejtësinë në një përpjekje për të penguar hetimin ndaj Rusisë.

Në një koment të mëparshëm përpara anëtarëve të Kongresit, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha se ai nuk kishte gjetur prova se zoti Trump të kishte penguar drejtësinë.

Demokratët e Kongresit e kanë akuzuar zotin Barr për keqinterpretim të konkluzioneve të raportit Mueller dhe kanë kërkuar që vetë Prokurori i Posaçëm të dëshmojë përpara Kongresit.

Si zoti Trump ashtu edhe zoti Barr kanë thënë se nuk kanë asnjë kundërshtim që zoti Mueller të dëshmojë, por vetë zoti Mueller nuk ka thënë nëse do të dëshmojë apo jo./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...