Deklaratat e Muellerit shtojnë thirrjet për votëbesim ndaj Trumpit

Amerika

Deklaratat e Muellerit shtojnë thirrjet për votëbesim ndaj Trumpit

Më: 30 maj 2019 Në ora: 14:31
Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller

Demokratët në Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për nxjerrjen e presidentit Donald Trump në votëbesim, pasi këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i bëri komentet e para publike.

Duke folur të mërkurën, Mueller tha se hetimet e tij nuk e kanë shfajësuar Trumpin nga pengimi i drejtësisë.

Mueller është ngarkuar me hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Ai tha se akuzat për krim kundër një presidenti nuk kanë qenë opsion.

Çështja e votëbesimit e ka ndarë Partinë Demokratike, duke vënë një numër ligjvënësish në kundërshtim me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelsoi, dhe të tjerë. Pelosi, deri më tash, i ka rezistuar idesë, duke argumentuar se do të ishte kundërproduktive.

Por, komentet e Muellerit i nxitën tre kandidatë të mundshëm për president të SHBA-së, nga Partia Demokratike: Cory Booker, Kirsten Gillibrand dhe Pete Buttigieg, t’iu bashkohen thirrjeve për votëbesim.

"Kongresi ka detyrim ligjor dhe moral për të filluar menjëherë procedurat e votëbesimit", tha Booker, senator nga Nju Xhërsi.

Senatorja e Nju Jorkut, Gillibrand, tha se “është koha që republikanët dhe demokratët të nisin seanca dëgjimore dhe të ndjekin faktet kudo që mund të çojnë".

Kryebashkiaku i Indianës, Pete Buttigieg, tha përmes një postimi në Twitter se situata është afër “referimit për votëbesim”.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Muellerit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi, tha se "Kongresi e konsideron të shenjtë përgjegjësinë e tij kushtetuese për të hetuar dhe mbajtur presidentin përgjegjës për shpërdorimin e pushtetit".

Kryetari i Komitetit Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, tha se këshilltari i posaçëm nuk e shfajësoi presidentin nga pengimi i drejtësisë.

"Në lidhje me çështjen e votëbesimit, në këtë pikë të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe asgjë nuk duhet përjashtuar", tha Nadler.

Trump tha në Twitter se nuk ka pasur prova të mjaftueshme kundër tij. "Dhe, për këtë arsye, në vendin tonë, një person është i pafajshëm", tha Trump.

Mueller kryesisht konfirmoi atë që thuhet në raportin e tij, i cili është publikuar muajin e kaluar me disa redaktime.

Ai i detajoi dhjetë raste kur Trump mund të ketë bërë përpjekje për të penguar hetimet, por tha se akuzimi i presidentit për krim nuk ka qenë opsion për këshilltarin e posaçëm.

Mueller tha se nuk beson se është "e përshtatshme të flasë më tej" për hetimet dhe se nuk do të jepte ndonjë informacion që nuk është në raportin e ekipit të tij.

Duke iu përgjigjur thirrjeve të ligjvënësve demokratë për dëshmi para Kongresit, Mueller tha: "Raporti është dëshmia ime”.

Ai gjithashtu njoftoi mbylljen formale të zyrës së këshillitarit të posaçëm dhe dorëheqjen e tij nga Departamenti i Drejtësisë, për t'iu kthyer jetës private./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat