Zyrtarë amerikanë dhe meksikanë takohen për tarifat

Amerika

Zyrtarë amerikanë dhe meksikanë takohen për tarifat

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 08:49
Foto

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe meksikanë u mblodhën të mërkurën në Uashington pas kërcënimit të Presidentit Donald Trump për një rritje të tarifave prej 5 për qind duke nisur nga 10 qershori, për produktet e importuara nga Meksika, nëse nuk kufizohet emigracioni i paligjshëm.

Ndërsa zoti Trump ndodhet për një vizitë në Evropë, nënpresidenti Mike Pence dhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo po marrin pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard si dhe zyrtarë të tjerë.

Në Irlandë zoti Trump tha se “mendon se Meksika duhet të marrë masa nëse nuk do rritje të tarifave. Tarifat do të vendosen dhe nëse rriten, kompanitë do të kthehen në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti.

Zoti Trump tha se Meksika “dëshiron të bëjë një marrëveshje”, por nëse nuk mund ta ndalë emigracionin “ne nuk do të punojmë me ta”.

“Mendoj se është një gjë shumë e thjeshtë dhe mendoj se ata do ta ndalojnë… Ata do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre më të lartë për ta bërë këtë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë të mërkurën”, tha presidenti Trump.

Para bisedimeve, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha në kushte anonimiteti se “tregtia dhe të gjitha aspektet e tjera të marrëdhënieve tona janë shumë të rëndësishme, por siguria kombëtare vjen e para. Shtëpia e Bardhë është tejet serioze lidhur me vendosjen e tarifave nëse nuk bëhet asgjë për të frenuar rrjedhën e emigrantëve”.

Zyrtari tha se zoti Pence “mezi pret të dëgjojë se çfarë masash të prekshme është e gatshme të marrë qeveria meksikane për të adresuar menjëherë këtë krizë në rritje” në kufi. Në muaj e fundit, autoritetet amerikane thonë se më shumë se 100 mijë emigrantë pa dokumente, kryesisht nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, kanë hyrë në SHBA për të kërkuar punë dhe për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë në vendet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat