Trump: SHBA dhe Franca dakordohen rreth Iranit

Amerika

Trump: SHBA dhe Franca dakordohen rreth Iranit

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 17:10
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot minimizoi dallimet me Francën mbi Iranin, duke thënë se me homologun e tij francez Emmanuel Macron janë dakorduar se Teherani nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Në takimin e dy presidentëve në qytetin francez Caen, me rastin e 75-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normandi, Trump përsëriti ofertën e SHBA-së për rinovimin e negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, ndërsa Macron u pajtua se duhet të fillojnë negociata të reja me Iranin, transmeton KosovaPress.

SHBA vitin e kaluar braktisi marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare të fuqive të mëdha dhe Iranit, dhe ri-vendosi sanksione të ashpra ndaj Teheranit. Trump ka dërguar së fundmi një aeroplanmbajtëse dhe bombardues në Lindjen e Mesme, për shkak të raporteve të inteligjencës për sulme të mundshme nga Irani.

Vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore 2015 - Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina, vazhdojnë të mbajnë marrëveshjen me Iranin dhe për të ulur tensionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat