Vazhdojnë bisedimet SHBA - Meksikë për çështjen e tarifave tregtare

Amerika

Vazhdojnë bisedimet SHBA - Meksikë për çështjen e tarifave tregtare

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 21:07
SHBA

Zyrtarët amerikanë dhe ata meksikanë kthehen të premten në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një mënyrë për të frenuar rrjedhën e emigrantëve të Amerikës Qendrore në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, që po kërcënon tregtinë midis dy vendeve fqinjë.

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Meksikës të enjten që të bëjë më shumë për të frenuar rritjen e valës së emigrantëve të Amerikës Qendrore që shkojnë drejt në veriut, për në SHBA; presidenti Donald Trump e rinovoi kërcënimin e tij për të vendosur javën e ardhshme një tarifë prej 5 për qindsh ndaj mallrave të importuara nga Meksika, nëse nuk arrihet një marrëveshje. Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence tha se bisedimet fillestare këtë javë me Meksikën ishin pozitive, por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan që Meksika të shtojë përpjekjet e saj për të frenuar rrjedhën e mijëra emigrantëve nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, në

kërkim të një jete më të mirë në SHBA dhe për t'i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre.

"Ne i mirëpritëm përpjekjet e zyrtarëve meksikanë për të ofruar zgjidhje për krizën në kufirin tonë jugor, por ne kemi nevojë që Meksika të bëjë më shumë," tha zoti Pence.

Presidenti Trump, i cili ndodhet në Evropë për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi të Francës, tha se bisedimet e fundit po mbaheshin "duke e ditur se nëse nuk arrihet marrëveshje, tarifat në nivelin për qind do të fillojnë të hënën, me një rritje mujore sipas planit", duke i çuar taksat e një sërë produkteve në 25 për qind, deri në muajin tetor.

Ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard pati takime me zyrtarë amerikanë në Departamentin e Shtetit, ndërsa negociatorët e tjerë nga të dy vendet u takuan në Shtëpinë e Bardhë. "Bisedimet nuk kanë përfunduar akoma," tha zoti Ebrard. "Unë mendoj se jemi duke bërë përparim."

Zyrtarët po diskutojnë për një marrëveshje, e cila kërkon që Meksika të shtojë ndjeshëm patrullimet së kufirin e saj me Guatemalën, për të frenuar migrimin, njoftoi gazeta "The Washington Post", me vendosjen e 6,000 trupave të Gardës Kombëtare. Gazeta shkruan se Meksika dhe SHBA mund t'i rishikojnë rregullat e azilit në të gjithë rajonin, duke kërkuar që shtetasit e Amerikës Qendrore të kërkojnë më parë strehim në Meksikë, në vend që të nisen drejt Shteteve të Bashkuara.

Me hyrjen në zbatim të një plani të tillë, Shtetet e Bashkuara mund t'i dërgojnë azilkërkuesit nga Guatemala për në Meksikë dhe ata nga Hondurasi dhe Salvadori për në Guatemalë.

Të mërkurën vonë, Presidenti Trump shkroi në Twitter, se: "Progres po bëhet, por jo aq sa duhet! Sa më të larta të jetë tarifat, aq më i madh do

të jetë numri i kompanive që do të kthehen në SHBA!" Ai shtoi të enjten në komentet për gazetarët, se: "Ne i kemi thënë Meksikës se tarifat do të vendosen dhe unë këtë e kam megjithë mend."

Ndërsa bisedimet e së mërkurës përfunduan, Ministri i Jashtëm Meksikan Ebrard tha: "Ajo që duam të shmangim është ndikimi i tarifave për të dy ekonomitë tona, për konsumatorët, për njerëzit e të dy vendeve".

Në kryeqytetin meksikan, Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador përsëriti qëndrimin e tij optimist.

"Ne mendojmë se do të arrihet një marrëveshje, sepse kjo është më e mira për Meksikën dhe për Shtetet e Bashkuara, që të dy vendet të mbajnë marrëdhënie miqësore ... që të ketë komunikim dhe mirëkuptim. Gjëja më e mirë është tregtia e lirë ... që të mos izolohemi," tha Presidenti meksikan Lopez Obrador.

Autoritetet amerikane thonë se në muajt e fundit, në Shtetet e Bashkuara kanë hyrë më shumë se 100 mijë emigrantë pa dokumente, kryesisht nga tre vendet e Amerikës Qendrore. Qeveria e amerikane njoftoi të mërkurën se në muajin maj, në kufi u arrestuan 144 mijë emigrantë, një rritje prej 32 për qindsh që nga prilli. Kjo ishte shifra më e lartë mujore në 13 vjet.

Disa ligjvënës republikanë, zakonisht aleatë të ngushtë politikë të zotit Trump, kanë thënë se do të përpiqen t'i bllokojnë tarifat me një ligj, i cili do të mbështetej gjithashtu gjerësisht nga demokratët e opozitës. Një numër i madh ligjvënësish kanë frikë se do të rriten shpenzimet e konsumatorëve amerikanë, nëse vendosen tarifa ndaj mallrave meksikane, duke përfshirë makina dhe produkte të shumta ushqimore që eksportohen në SHBA.

Presidenti Trump tha se republikanët do të ishin "budallenj" po ta ndalonin atë që të vendosë tarifat. Në komentet e tij të enjten, zoti Trump gjithashtu përsëriti kritikat e tij për demokratët në Kongres për siç u shpreh ai, "refuzimin e tyre për të rregulluar ligjet e emigracionit"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat