Presidenti Trump përballë reagimeve të ashpra për komentet për ndërhyrjen e huaj

Amerika

Presidenti Trump përballë reagimeve të ashpra për komentet për ndërhyrjen e huaj

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 19:13
Donald Trump

Në Shtetet e Bashkuara, demokratët reaguan menjëherë ndaj pohimit të Presidentit Donald Trump se nuk ka asgjë të keqe të dëgjosh informacion për kundërshtarët politikë, edhe nëse ai vjen nga një vend i huaj. Zoti Trump befasoi edhe disa republikanë me deklaratën e tij se do të pranonte informacion nga një qeveri e huaj për të sabotuar rivalin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në një intervistë me ABC News, presidenti Trump tha se nëse do t’i bëhej një ofertë e tillë, ai do ta merrte në konsideratë. Por në një intervistë të premten, zoti Trump u duk sikur u tërhoq nga komentet e tij kur tha se nëse mendonte se diçka ishte e pasaktë në këtë informacion, ai do të njoftonte pa diskutim organet e rendit. Kritikët e shohin komentin fillestar të Presidentit Trump si një ftesë ndaj qeverive të huaja për të vazhduar ndërhyrjen në sistemin demokratik amerikan në një kohë kur ligjvënësit po përpiqen të parandalojnë një përsëritje të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha të enjten se zoti Trump edhe një herë tregoi se nuk dallon dot të drejtën nga e gabuara.

“Të gjithë duhet të jenë thellësisht të indinjuar nga ajo që tha presidenti. Thellësisht të indinjuar. Por ai gjithmonë bën deklarata të tilla indinjuese. Kjo e fundit është aq joetike dhe ai as nuk e kupton”.

Komentet e transmetuara në televizione e kanë bërë të vështirë për kolegët republikanë ta mbrojnë presidentin.

Kevin McCarthy, është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

"E kam parë presidentin t’u bëjë rezistencë entiteteve të huaja dhe ai nuk do të lejonte vende të huaja të ndërhyjnë në zgjedhjet tona”.

Senatori Mitt Romney nga Utah, një republikan që ka kandiduar dy herë për president, ishte i prerë.

"Ka shumë gjasa që është e paligjshme. Por nëse nuk është, duhet të jetë e paligjshme. Por ne nuk duhet absolutisht të lejojmë qeveritë e huaja të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet tona. Kjo do të binte ndesh me frymën e demokracisë”, tha ai.

Anëtarët e Kongresit kanë dënuar njëzëri ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 të Shtetet e Bashkuara dhe shumë prej tyre po kërkojnë një legjislacion për sigurinë e votës. Por këto përpjekje janë bllokuar nga udhëheqësi republikan i shumicës në senat, Mitch McConnell, një përkrahës i vendosur i zotit Trump.

Chuck Schumer, kreu i demokratëve në Senat, foli për këtë temë të enjten.

"Ne kemi disa projekt-ligje dypalëshe që kanë ngecur në Senat. Madje kemi një projekt-ligj që është propozuar nga nënkryetari demokrat i Komisionit të Zbulimit, sipas së cilit do të ishte detyrim ligjor i fushatës për të raportuar tek FBI-ja nëse një fuqi e huaj ofron ndihmë. Shumë e thjeshtë: Nëse një fuqi e huaj i ofron ndihmë fushatës suaj, ia raporton FBI-së".

Analistët thonë se projekt-ligjet kanë shumë gjasa që të ngecin për shkak të mbështetjes së palëkundur të votuesve republikanë për Presidentin Trump. Ligjvënësit republikanë që sfidojnë zotin Trump hapur, do të vinin në rrezik rizgjedhjen e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat