OKB: Venezuela liron 22 të burgosur

Amerika

OKB: Venezuela liron 22 të burgosur

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 18:37
Maria Afiuni

Venezuela ka liruar të premten 22 të burgosur, përfshirë gjykatësen Maria Afiuni dhe gazetarin Braulio Jatar, tha të premten Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet.

Zonja Bachelet dhe zyra e saj thanë se mes atyre që u liruan të enjten, ishin edhe 20 studentë.

Lajmi vjen pasi Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbajti një debat lidhur me një raport të zonjës Bachelet, me përfundimet e vizitës së saj në Venezuelë në qershor.

Në raport akuzohen forcat venezueliane të sigurisë se kishin dërguar skuadra të vdekjes për të vrarë burra të rinj, por një zëvendës ministër e hodhi poshtë një gjë të tillë në një fjalim para Këshillit në Gjenevë.

Një zëdhënëse tha se zonja Bachelet i kishte kërkuar direkt Presidentit majtist Nicola Maduro që të lironte 22 të burgosurit.

Gjykatësja Afiuni ishte burgosur pa urdhër arresti pak pasi ish-presidenti

Hugo Chavez kritikoi një nga vendimet e saj për lirimin e biznesmenit,

Eligio Cedeno, që ishte akuzuar për korrupsion.

Prokurorët akuzuan zonjën Afiuni se kishte marrë rryshfete për të liruar Cedenon.

Ajo i mohoi akuzat duke thënë se e kishte liruar zotin Cedeno, pasi ai kishte pritur për gjyqin për një periudhë më të gjatë nga ç’parashikonte ligji.

Ajo tha më pas se ishte përdhunuar në burg dhe refuzoi kujdesin shëndetësor nga autoritetet. Udhëheqësit e Partisë Socialiste në pushtet i hodhën poshtë akuzat e saj. Jatar, një gazetar dhe avokat i njohur u arrestua pasi publikoi një protetë ndaj Maduros dhe u akuzua për pastrim parash. Ministria venezueliane e Informacionit nuk ka komentuar për lirimet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat