Mungesa e internetit po ndikon tek fermerët e Virxhinias Perëndimore

Amerika

Mungesa e internetit po ndikon tek fermerët e Virxhinias Perëndimore

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 21:45
Foto ilustrim

Mund të tingëllojë e pabesueshme që në ditët moderne të Amerikës, jo çdo pjesë e saj ka qasje në internet të shpejtë. Por, ky është realiteti për shumë amerikanë, veçanarisht ata në zonat rurale të vendit. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, shkoi në Virxhinian Perëndimore për të mësuar më shumë për ndikimin që ka mungesa e internetit tek fermerët e kësaj zone.

Puna nis herët në fermat e Virxhinias Perëndimore.

Punëtorët mbledhin me duar prodhimet organike i shpërlajnë, i përgatisin dhe i paketojnë po aty, janë gati të shpërndahen për konsum.

Ferma po ashtu shërben si qendër trajnimi për ata që dëshirojnë të mësojnë mbi prodhimin dhe tregtinë e qëndrueshme.

Sfida është që ky proces të jetë fitimprurës, thotë drejtori i projektit, Fritz Boettner.

“Në mënyrë që të përmirësohen të ardhurat e fermerit, ne duhet të mbajmë të ulët koston e shpërndarjes së ushqimit, pra koston e grumbullimit, shpërndarjes dhe marketingut.”

Dhe kjo, thotë ai, kërkon internet të shpejtë, gjë që është e kufizuar ose e pamundur në zona rurale si kjo.

“Për momentin mund të them se gjysma e fermerëve tanë nuk kanë internet të qëndrueshëm, madje as telefon që të realizojnë këto lloj transaksionesh.”

Por, 30 minuta larg fermës, në qytezën Hilton, interneti nuk është problem.

Dikur lidhjet i bënin hekurudhat, por sot kontakti i qytezës me botën e jashtme varet nga interneti me shpejtësi të lartë.

Ken Allman thotë se biznesi i tij online, që lidh spitalet dhe mjekët në mbarë botën, nuk do të egzistonte pa qasje në internet të shpejtë.

“Fakti që ekipi ynë në Hinton të Virxhinias Perëndimore punon me njerëz në Mumbai të Indisë ose në Tel Aviv të Izraelit për të zgjidhur probleme të kësaj fushe në Amerikë, është tregues i magjisë që mund të bëjë në një shoqëri të vogël, interneti i shpejt dhe telefoni celular.”

Joe Brouse pajtohet.

Si drejtor ekzekutiv i autoritetit rajonal për zhvillim në Nju Rivër Xhorxh, puna e tij është që të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon.

“Bizneset e quajnë atë të domosdoshëm. Familjet po ashtu. Nëse njerëzit duan të jetojnë këtu, duhet të kenë qasje. Është mënyra e lidhjes me botën moderne.”

Ai thotë se topografia e shtetit dhe numri i banorëve, janë disa prej arsyeve pse mungon rrjeti i përballueshëm.

Por, shpresat nuk kanë humbur.

“Agjencia jonë për zhvillim ekonomik bashkëpunon me Virxhinian Perëndimore që të gjenden zgjidhje krijuese përmes programeve të subvencionimit dhe kredive, për ata që mund të përballojnë fibra optike.”

Ai thotë se qyteza Hinton është modeli më i mirë.

“Po ta krahasosh është një qytezë e vogël por një hap para sa i përket qasjes në rrjet. Është një histori suksesi që dëshirojmë ta përhapim në të gjithë këtë shtet të Apalasheve”.

Ky është një lajm inkurajues për zotin Boettner. “Nëse mendojmë për të ardhmen, kur këto ferma të jenë rritur, ne do të duam të zgjerojmë rrjetin e fermerëve. Prandaj çështja e qasjes në internet duhet të zgjidhet.”/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat