Kreu i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë njoftimet për kushtet e këqija në qendrat e ndalimit

Amerika

Kreu i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë njoftimet për kushtet e këqija në qendrat e ndalimit

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 17:41
Kreu i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare

Kreu i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare kundërshtoi njoftimet për mungesë të ushqimit, ujit dhe kanalizimeve të përshtatshme në qendrat e mbingarkuara me njerëz të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë. Në të njëjtën kohë, disa anëtarë të Kongresit po bëjnë thirrje për përmirësimin e trajtimit të imigrantëve në kujdestarinë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Marcus Harton njofton.

Pas një turneu në një qendrat e ndalimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar, ligjvënësja Aleksandria Ocasio-Cortez kritikoi kushtet brenda saj.

"Asnjë grua nuk duhet të mbyllet kurrë në një qeli kur nuk ka bërë asnjë dëm ndaj një qenieje njerëzore. Duhet t'u jepet ujë, duhet t'u jepet mundësia për të drejtat themelore të njeriut".

Njoftimet e lajmeve dhe një raport i brendshëm i Patrullës Kufitare e përqendron vëmendjen tek mbipopullimi dhe ndalimi i zgjatur i imigrantëve. Kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në detyrë, Kevin McAleenan, tha në programin This Week të ABC-së se agjencia e tij po bën atë që mundet për të përballuar imigrantët që kanë hyrë në këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

"Kemi patur mbi 500 mijë njerëz që kanë kaluar kufirin tonë jugor. Kalimet mbizotëruese janë bërë nga familje, me fëmijë të pashoqëruar dhe të rritur”, thotë Kevin McAleenan, nën sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

McAleenan tha se njoftimet për kushte johigjienike, mungesë ushqimi dhe ujit të pijshëm, ishin të pabaza. Ai përmendi hapat e ndërmarrë për përmirësimin e qendrave të paraburgimit.

"Kemi bërë shumë. Që nga data 30 dhjetor kur kemi biseduar për këtë çështje, kishim vetëm 20 personel mjekësorë në objektet tona, përgjatë kufirit... Tani kemi mbi 200 ... Kemi ndërtuar godina të përkohshme qëjanë shumë më të përshtatshme, me tavane të larta, me më shumë hapësirë për fëmijët dhe familjet".

"Pashë gati 14 njerëz, që flinin në dysheme. Disa prej tyre thanë se nuk ishin larë për 15 ditë", tha ligjvënësja Rashida Tlaib ishte pjesë e një delegacioni të Kongresit që vizitoi qendrën e paraburgimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar.

"Nuk di si t'ia u shpjegojë njerëzve atë që pamë. Kur ua shpjegojmë njerëzve ata thonë: Kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne ishim të gjithë atje dhe e pamë", thotë ligjvënësja Tlaib.

Kongresi kohët e fundit miratoi një paketë prej 4 pikë 6 miliardë dollarë në fonde emergjente, shumë prej të cilave ka për qëllim përmirësimin e situatave për fëmijët dhe familjet e imigrantëve në mjediset e paraburgimit në kufi./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat