Kongres, autorizohet thirrja për të dëshmuar e zyrtarëve të lidhur me Presidentin Trump

Amerika

Kongres, autorizohet thirrja për të dëshmuar e zyrtarëve të lidhur me Presidentin Trump

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 22:05
Kongresi amerikan

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve vendosi të thërrasë për të dëshmuar zyrtarëve aktuale dhe ish-zyrtarë të administratës Trump, përfshirë ata që u angazhuan në fushatën për zgjedhjet presidenciale. Vendimi është pjesë e hetimeve që po kryen komisioni për pengim të drejtësisë, korrupsion si dhe rreth politikave të ndjekura nga administrata për ndarjen e familjeve dhe ndalimin e fëmijëve në kufi me Meksikën.

Pavarësisht kundërshtisë së republikanëve, demokratët i dhanë kryetarit të komisionit Jerrold Nadler një mundësi të gjerë veprimi për thirrjen e njerëzve të afërt të Presidentit Donald Trump. Më parë demokratët ishin shprehur të irrituar rreth asaj që ata e kanë cilësuar, mungesë bashkëpunimi nga Shtëpia e Bardhë dhe agjencitë federale si përgjigje ndaj kërkesave të tyre për të intervistuar zyrtarët dhe për të marrë dokumente.

Shtëpia e Bardhë ka udhëzuar disa zyrtarë, siç është ish-këshilltari Don McGahn, për të mos iu përgjigjur pyetjeve të komisionit, ndërsa republikanët i akuzojnë demokratët për zvarritje të hetimeve dhe shpërdorim të kohës së ligjvënësve.

Presidenti Trump është ankuar disa herë në lidhje me hetimet ndaj administratës së tij dhe në një postim në twitter të mërkurën shkruante: “Gjuetia e shtrigave e demokratëve vazhdon!"

Në listën e komisionit përfshihet këshilltari i lartë i zotit Trump, Jared Kushner, ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, ish-shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly, ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dhe ish-zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein.

Lista me 12 persona përfshin gjithashtu ish-menaxherin e fushatës zgjedhore të zotit Trump, Corey Lewandowski si dhe David Pecker, drejtuesin e tabloidit National Enquirer, botim i kompanisë American Media Inc./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat