Emergjenca në Luiziana, stuhia “Barry” shton fuqinë në gjirin e Meksikës, pritet të godasë tokën

Amerika

Emergjenca në Luiziana, stuhia “Barry” shton fuqinë në gjirin e Meksikës, pritet të godasë tokën

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 17:03
Foto

Presidenti Amerikan, Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës në Luiziana, ndërsa një stuhi tropikale që po fuqizohet akoma më shumë, është gati të prekë tokën.

Stuhia “Barry”, ka shtuar fuqinë mbi gjirin e Meksikës në ditët e fundit. Zyrtarët thanë se shpejtësia e erës ka shkuar në 104 km në orë dhe stuhia mund të arrijë forcën e një uragani kur të prekë tokën.

Ajo pritet të sjellë reshje të mëdha shiu, në qytetin e Nju Orlinsit, që po ashtu ka parë stuhi dhe përmbytje orët e fundit.

Shërbimi kombëtar i motit paralajmëroi se përmbytjet nga stuhia përbëjnë një rrezik të madh.

Sidoqoftë, vendimi i Presidentit për të shpallur gjendjen e emergjencës ka çliruar burimet federale që mund të përdoren në situata kritike.

“Barry” do të testojë edhe mbrojtjet nga përmbytjet që u përforcuan pas uraganit Katrina në 2005, që e zhyti pjesën më të madhe të Nju Orlinsit nën ujë.

Nëse shpejtësia e erës do të vazhdojë të rritet, atëherë stuhia Barry do të shpallet një uragan dhe do të bëhet i pari i sezonit të 2019 në Atlantik.

Zyrtarët ndërkohë kanë urdhëruar me mijëra banorë, në disa zona të ulëta, të evakuohen. Në zona të tjera banorët janë përgatitur për stuhinë, duke mbledhur rezerva ushqimesh dhe uji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat