ShBA-ja ua ndalon hyrjen komandantëve birmanezë për shkak të vrasjes së myslimanëve

Amerika

ShBA-ja ua ndalon hyrjen komandantëve birmanezë për shkak të vrasjes së myslimanëve

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 15:56
Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione gjeneralit kryesor të ushtrisë dhe tre zyrtarëve tjerë të lartë ushtarakë të Birmanisë për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj myslimanëve të grupit etnik Rohingya.

Përpos gjeneralëve, hyrjen në Shtetet e Bashkuara e kanë të ndaluar edhe familjet e tyre. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tha se ka dëshmi të besueshme që këta gjeneralë ishin të përfshirë në shtypjen e dhunshme të pakicës myslimane në vitin 2017 dhe se ata janë duke i vazhduar këto shkelje.

Në anën tjetër, qeveria e Birmanisë dhe ushtria e këtij shteti e kanë dënuar vendimin e autoriteteve amerikane për vendosje të sanksioneve ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë të këtij shteti.

Sidoqoftë, Pompeo tha se këto sanksione kanë ardhur pjesërisht edhe nga vendimi i komandantit të ushtrisë, Min Aung Hjaing, për t’i liruar pas disa muajsh ushtarët e dënuar për vrasje pa gjyq në fshatin Inn Din në vitin 2017.

Këta ushtarë kanë qëndruar në burg për një kohë më të shkurtër se dy gazetarët e agjencisë së lajmeve “Reuters”, të cilët ishin duke e hulumtuar masakrën e tmerrshme. Ata u mbajtën në burg për më shumë se 16 muaj nën akuzën për zbulim të sekreteve shtetërore. Sidoqoftë, ata u liruan më 6 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat