Ligjvënësja Omar reagon ndaj komenteve të Presidentit Trump

Amerika

Ligjvënësja Omar reagon ndaj komenteve të Presidentit Trump

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 18:21
Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar

Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar postoi një tweet të mërkurën në mbrëmje për Presidentin Donald Trump dhe mbështetësit e tij, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë lënë të kuptohet që shtetasja amerikane e natyralizuar "të kthehet" në Somali, vendi ku ajo ka lindur.

Ilhan Omar shkroi në twitter për zotin Trump: "Unë jam këtu, në vendin që i përkas, në shtëpinë e popullit, dhe ju nuk mund ta ndryshoni këtë”.

Përgjigjja e saj erdhi pasi Presidenti Trump, për të katërtën ditë radhazi, e sulmoi zonjën Omar dhe tre gra të tjera ligjvënëse me ngjyrë, duke vazhduar të vërë në dyshim besnikërinë e tyre ndaj vendit dhe duke sugjeruar që ato të largohen.

Zoti Trump i vazhdoi komentet edhe gjatë një tubimi fushate në Karolinën e Veriut të mërkurën në mbrëmje.

"Nëse nuk e duan, u thoni që të largohen. Kjo çështje ishte shumë e diskutueshme. Ato mund të kthehen kur të duan, por e dini, ato nuk e duan vendin tonë, madje në disa raste, do të thoja e urrejnë atë, ka kaq shumë zemërim tek to...". Të martën mbrëma, katër republikanë iu bashkuan demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, duke miratuar rezolutën 240-187, ku dënohen "komentet raciste të zotit Trump, - siç thanë ata, - që kanë legjitimuar dhe shtuar frikën dhe urrejtjen ndaj shtetasve amerikanëve të natyralizuar dhe njerëzve me ngjyrë"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat