Guvernatori i Porto Rikos u reziston thirrjeve për dorëheqje

Amerika

Guvernatori i Porto Rikos u reziston thirrjeve për dorëheqje

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 18:53
Porto Riko

Guvernatori i Porto Rikos nuk po tërhiqet, megjithë protestat masive në kryeqytetin San Juan ku kërkohet dorëheqja e tij. Mijëra njerëz dolën në rrugë pasi Qendra e Porto Rikos për Gazetarinë Investigative publikoi rreth 900 faqe mesazhesh telefonike në të cilat Guvernatori Ricardo Rossello përdor gjuhë homofobike dhe me urrejtje ndaj grave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, njofton se guvernatori u shpreh në një deklaratë se përkushtimi i tij ndaj Porto Rikos është më i fortë se kurrë.

Protestat kanë vazhduar për mbi një javë dhe nuk po japin shenja ngadalësimi. Për të ndalur aktet e dhunshme, policia ka ndërhyrë herë pas here me gaz lotsjellës dhe me përdorimin e forcës. Portorikanët janë të irrituar me korrupsionin qeveritar, recensionin financiar dhe me reagimin ndaj emergjencës pas Uraganit Maria në vitin 2017, i cili shkatërroi ishullin. Një numër figurash publike po ofrojnë mbështetjen e tyre...

“Po flisnin në mënyrë të tmerrshme për gratë, për Porto Rikon në përgjithësi. Jam thjesht i zemëruar dhe i lodhur. Porto Riko ka vuajtur së tepërmi”, u shpreh këngëtari Ricky Martin.

Në Nju Jork, krijuesi i spektaklit muzikor në Broadway, të titulluar “Hamilton”, Lin-Manuel Miranda, iu bashkua protestuesve në Sheshin e Unitetit, duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit të Porto Rikos.

“Jemi këtu për juve. Ju jeni më të guximshmit në botë. Ju dolët në rrugë dhe u ngritët për të thënë ‘mjaft më’. Dhe ne jemi me juve për t’ju informuar se bota po ju ndjek. Jemi me ju”, tha zoti Miranda.

Guvernatori Rossello publikoi një deklaratë ku pranon “debatet e krijuara rishtazi”, por ku edhe premton për një përkushtim “më të fortë se ndonjëherë” për të zbatuar politikat publike.

Por, protestuesit thonë se mesazhet ofenduese të shkruara nga guvernatori janë vetëm një pjesë e problemit.

“Kjo është qershia mbi tortë. Nuk e mbanim dot më. Vuajtëm shumë me Uraganin Maria që na solli shumë dhimbje të padurueshme. Por, çfarë bëri qeveria është se na solli zemërim dhe dhimbje që u shndërrua në më shumë zemërim. Nuk mundemi ta pranojmë më”,thotë Mario, një protestues portorikan në Nju Jork.

Presidenti amerikan Donald Trump dha mendimin e tij të enjten për situatën duke kritikuar në Twitter, si guvernatorin e Porto Rikos, ashtu edhe kryebashkiakun e San Juan-it. Pas shkatërrimit të ishullit nga Uragani Maria, Presidenti Trump akuzoi qeverinë lokale të këtij territori amerikan për paaftësi. Udhëheqësit e këtij ishulli të Karaibeve janë ankuar se nuk kanë marrë fonde të mjaftueshme federale për emergjencat.

Porto Riko po përballet me falimentimin dhe zyrtarët e tij kanë kërkuar miliarda dollarë fonde nga qeveria federale për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe për përpjekjet e rimëkëmbjes nga uragani. FBI-ja po heton akuzat për korrupsion dhe favoritizëm për disa kontrata që Porto Riko ka dhënë nëpërmjet prokurimit publik, si dhe ka arrestuar disa prej ish-zyrtarëve të këtij ishulli./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat