Trump: Asnjë dyshim që droni i rrëzuar ishte i Iranit

Amerika

Trump: Asnjë dyshim që droni i rrëzuar ishte i Iranit

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 21:07
Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump u shpreh i sigurt të premten se luftanija amerikane "USS Boxer" rrëzoi një ditë më parë një dron iranian në ngushticën e Hormuzit. Teherani e mohoi një gjë të tillë më herët gjatë ditës.

Por presidenti Trump u tha gazetarëve të mbledhur në Zyrën Ovale se: "nuk asnjë dyshim për këtë. Ne e qëlluam atë".

"Nuk ka asnjë dyshim se ishte një dron iranian", tha edhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zotit Trump, John Bolton. "USS Boxer e rrëzoi, sikurse njoftoi dje presidenti, pasi ai përbënte një kërcënim për anijen dhe ekuipazhin e saj. Ishte krejtësisht gjëja e duhur për të bërë", shtoi zoti Bolton.

I pyetur nëse është i shqetësuar për një përplasje më të gjerë me Iranin në ngushticën e Hormuzit, zotiTrump tha jo:

"Ne shpresojmë që për të mirën e tyre ata të mos bëjnë ndonjë marrëzi. Nëse e bëjnë, do të paguajnë një çmim si askush tjetër", tha ai.

Të premten më herët gjatë ditës një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se Departamenti i Mbrojtjes pritet të publikojë prova filmike të rrëzimit të dronit.

Me herët gjatë ditës Irani njoftoi se nuk ka humbur asnjë dron, duke hedhur poshtë njoftimet e bëra të enjeten nga Shtetet e Bashkuara se një luftanije e saj ka shkatërruar një dron iranian në ngushticën e Hormuzit.

"Nuk kemi humbur asnjë dron në ngushticën e Hormuzit dhe as kudo tjetër", shkruante zëvendëskryeministri i Iranit Abbas Araghchi në një postim në Twitter. Ai shkruante gjithashtu se ishte "i shqetësuar" pasi anija luftarake amerikane kishte rrëzuar "gabimisht" një dron të vetin.

Presidenti Donald Trump njoftoi të enjeten se një luftanija amerikane kishte shkatërruar në ngushticën e Hormuzit një dron Iranian, që kërcënoi anijen dhe ekuipazhin e saj.

Zoti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë së Bardhë se droni ishte afruar 900 metra nga nga luftanija amerikane “USS Boxer” dhe se ishin injoruar "njoftimet e shumta për t'u ndalur".

"Droni u shkatërrua menjëherë", tha ai. "Ky është zhvillimi më i fundit ndër shumë veprimeve provokuese e armiqësore të Iranit kundër anijeve që operojnë në ujërat ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën për të mbrojtur personelin, objektet dhe interesat veta", shtoi Presidenti.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha në Nju Jork të enjten se ai nuk kishte informacion që Teherani të kishte humbur një dron atë ditë.

Por zoti Trump u bëri thirrje të gjitha kombeve të dënojnë atë që ai e quajti "përpjekje e Iranit për të shkaktuar konfuzion tek liria e lundrimit dhe tregtia botërore".

Në një deklaratë të Pentagonit thuhej se incidenti kishte ndodhur rreth orës 10 me orën lokale: "Anija amfibe “USS Boxer” po lundronte në ujërat ndërkombëtare duke kryen një tranzit të planifikuar në ngushticës së Hormuzit. Një dron iu afrua asaj brenda një distance që përbën kërcënim. Anija mori masa mbrojtëse kundër dronit për të garantuar sigurinë e anijes dhe të ekuipazhit të saj".

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë janë rritur pas sanksioneve amerikane të cilat kanë shkatërruar ekonominë iraniane si dhe pas tërheqjes së Uashingtonit vitin e kaluar, nga marrëveshja bërthamore me Teheranin.

Irani ka nisur të mos të mos respektojë pjesë të marrëveshjes dhe ka kërcënuar të rrisë pasurimin e uraniumit si kusht që Bashkimi Evropian të ndihmojë ekonominë iraniane.

Muajin e kaluar Irani rrëzoi një dron amerikan duke pretenduar se po fluturonte mbi territorin e tij. Shtetet e Bashkuara thanë se droni po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtare. Pas kësaj ngjarjeje zoti Trump anuloi në minutën e fundit një sulm ajror ndaj Teheranit, duke thënë se donte të shmangte viktima iraniane.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu dyshojnë se Irani qëndron pas hedhjes në erë të disa depozita të huaja me naftë në gjirin e Omanit muajin e kaluar.

Teherani thotë se veprimet në Lindjen e Mesme, përfshirë shitjet e raketave Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, kërcënojnë të hedhin në erë rajonin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat