Pompeo konfirmon sanksionet kundër një udhëheqësi të Hezbollahut - Bota Sot
Pompeo konfirmon sanksionet kundër një udhëheqësi të Hezbollahut

Amerika

Pompeo konfirmon sanksionet kundër një udhëheqësi të Hezbollahut

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 21:08
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo konfirmoi të premten në Argjentinë se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione financiare kundër një udhëheqësi të grupit militant Hezbollah. Salman Raouf Salman dyshohet se ka udhëhequr operacionin për hedhjen në erë në vitin 1994 të një qendre të bashkësisë hebraike në Buenos Aires ku si pasojë u vranë 85 vetë.

"Ata u vranë nga anëtarë të grupit terrorist Hezbollah dhe u ndihmuan atë ditë nga Irani" i cili u siguroi "mbështetje logjistike dhe financim përmes Korpusit të tij Revolucionar Islamik", tha zoti Pompeo në një aktivitet në Argjentinë me rastin e 25 vjetorit të kësaj ngjarjeje.

Zoti Pompeo tha se janë marrë dy veprime kundër Salman Raouf Salman-it, që siç tha shërbeu si koordinator në terren për hedhjen në erë të qendrës. Zoti Pompeo tha se Salman "vazhdon të jetë një person në kërkim që vazhdon të komplotojë akte terroriste në emër të Hezbollahut".

Programi i Shpërblimeve për Drejtësi i Departamentit amerikan të Shtetit ka ofruar deri në 7 milionë dollarë për ata që japin informacione për arrestimin e tij. Departamenti i amerikan i Thesarit e ka emërtuar Salmanin me një status të posaçëm si terrorist çka i mohon atij qasje në sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ndodhet në Argjentinë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e udhëheqësve të Amerikës Latine në përpjekjet kundër grupeve militante në Lindjen e Mesme.

Diplomati më i lartë amerikan do të mbajë një fjalim të premten në ministerialin e dytë të hemisferës perëndimore, kundër terrorizmit, që mbahet në Buenos Aires.

Të hënën, Ministria për Sigurinë e Argjentinës e shpalli zyrtarisht grupin militant Hezbollah me bazë në Liban të mbështetur nga Irani, si organizatë terroriste. Ky emërtim i siguron SHBA-së një tjetër aleat në përpjekjet për të zgjeruar koalicionin botëror kundër rritjes së ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme e më gjerë.

Zoti Pompeo pritet të vizitojë gjithashtu Ekuadorin, Mexico City-n dhe San Salvador-in. Gjatë një konferencë për shtyp në Uashingtonit të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha se zoti Pompeo do të kërkojë zgjerimin e bashkëpunimin mbi çështje të sigurisë, të sigurojë për angazhimin amerikan ndaj të drejtave të njeriut e demokracinë si dhe të zgjerojë mundësitë ekonomike për qytetarët amerikanë.

Migrimi pritet të jetë gjithashtu temë diskutimi me udhëheqësit e Amerikës Latine. Disa ekspertë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet ta trajnë problemin në rrënjët e tij duke u përqëndruar tek faktorët që i shtyjnë këta njerëz të largohen nga vendi i tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...