Uashingtoni i përçarë politikisht mbi racën dhe ideologjinë - Bota Sot
Uashingtoni i përçarë politikisht mbi racën dhe ideologjinë

Amerika

Uashingtoni i përçarë politikisht mbi racën dhe ideologjinë

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 15:43
Presidenti amerikan Donald Trump

Java e kaluar ishte sfiduese për demokracinë amerikane. Presidenti Donald Trump po kritikohet për sulmet ndaj katër ligjvënëseve demokrate që i përkasin pakicave. Dhoma e Përfaqësuesve, kryesisht në linja partiake, votoi për të dënuar disa nga komentet e presidentit, që ajo i cilësoi si raciste. Në të njëjtën kohë, demokratët e opozitës mbeten të ndarë mbi çështjen e fillimit të procedurave për shkarkimin e Presidentit Trump apo përqëndrimin e energjisë në mposhtjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, përplasja ka zhytur vendin në një debat të ashpër mbi racën, emigracionin dhe ideologjinë politike.

Para një turme entuziaste në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump sulmoi përsëri katër ligjvënese demokrate, të gjitha gra me ngjyrë.

"Këta ideologë të krahut të majtë e shohin vendin tonë si një forcë të së keqes. Ato flasin keq për vendin tonë. Ato duan të shkatërrojnë Kushtetutën, të dobësojnë ushtrinë tonë dhe të eleminojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend i mrekullueshëm".

Në një moment gjatë fjalimi të tij, Presidenti vuri në shënjestër ligjvënësen e Minesotës Ilhan Omar, duke nxitur thirrjet nga turma "kthejeni në vendin e saj”.

Paraqitja konfrontuese e Presidentit Trump ndodhi në të njëjtën ditë që Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër një nisme për të filluar procedurat e shkarkimit të tij.

Por më parë gjatë javës, Dhoma e Përfaqësuesve bëri një hap të pazakontë, duke votuar për të dënuar dhe cilësuar si raciste disa nga sulmet e Presidentit Trump ndaj katër ligjvënëseve demokrate.

Të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve mbështetën rezolutën, përfshirë aktivistin e të drejtat civile John Lewis nga Xhorxhia.

"Unë e di se çka është racizmi dhe mund ta ndjejë atë. Në nivelin më të lartë të qeverisë, nuk ka vend për racizëm".

Fitorja e Presidentit Trump në vitin 2016 u ndihmua nga mbështetja e fortë e votuesve të bardhë të shtresës punëtore.

Por shumë demokratë, përfshirë ligjvënësin Tom Malinowski besojnë se Presidenti është duke bërë një ofertë të rrezikshme për mbështetje bazuar në pakënaqësinë racore.

"Këto nuk janë vetëm fjalë. Ato janë njësojë sikur t’i hedhësh zjarrit benzinë, dhe që mund të acarojnë mendjet e trazuara të njerëzve."

Presidenti Trump ka mohuar akuzat se është racist, por ka sulmuar katër ligjvënëse, duke i quajtur ato socialiste dhe u ka thënë atyre të largohen nga vendi nëse nuk janë të kënaqura.

Disa republikanë i kanë kritikuar sulmet, por shumë të tjerë duke përfshirë Senatorin John Kennedy, e mbështesin Presidentin.

"Ky vend nuk është si Kina ose si Koreja e Veriut. Kjo është Amerika dhe nëse ju urreni vendin tonë, ju jeni të lirë të largoheni kur të doni".

Fokusi i Presidentit tek tensionet racore dhe ideologjike po e gris strukturën e vendit, paralajmëron ligjvënësi demokrat Dean Phillips.

"Nëse racizmi bëhet një çështje partiake në këtë vend, ky do të ishte një abuzim ndaj themeluesve të vendit tonë, Kushtetutës sonë dhe çdo personi që e quan Amerikën shtëpi të tyre".

Fitorja e ngushtë e Presidentit Trump në vitin 2016 dhe mbështetja relativisht e ulët për punën e tij ia vështirëson atij përpjekjet për t’u rizgjedhur, thotë analisti Kyle Kondik.

"Nëse mbështetja për punën e tij është nën 45 për qind, atëherë ai do të ketë nevojë për votat e një pjese të konsiderueshme të njerëzve që nuk e mbështesin atë dhe në këtë pikë gjërat do të jenë tepër të vështira për të."

Retorika tensionuese e kësaj jave mund të shërbejë si një hap paraprak i një fushate të acaruar dhe të paqëndrueshme presidenciale vitin e ardhshëm./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...