Dy të rinjtë e zhdukur në Kanada dyshohen për vrasje të dyfishtë

Amerika

Dy të rinjtë e zhdukur në Kanada dyshohen për vrasje të dyfishtë

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 10:16
Kam McLeod, 19 vjeç, dhe Bryer Schmegelsky, 18 vjeç

Dy adoleshentë të raportuar si persona të zhdukur tashmë janë të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të australianit 23 vjeç, Lucas Fowler, dhe amerikanes 24 vjeçe, Chynna Deese, të cilët u gjetën të vdekur në një autostradë në pjesën veriore të Kanadasë.

Kam McLeod, 19 vjeç, dhe Bryer Schmegelsky, 18 vjeç, fillimisht u raportuan të zhdukur pasi kamioni i tyre u gjet i djegur të premten në rajonin British Columbia, rreth 500 kilometra në jug të së njëjtës rrugë ku u gjetën të vrarë dy persona.

Zëdhënësja e policisë, Janelle Shoihet, tha në një konferencë për gazetarë se dy personat e dyshuar për vrasjen e dyfishtë janë parë më vonë në Saskatchewan, ndonëse nuk e përmendi kohën ose vendin e saktë. Ata janë parë duke e vozitur një veturë të tipit “Toyota” me ngjyrë të hirtë.

“Duke i pasur parasysh këto zhvillime, Kam dhe Bryer nuk cilësohen më si persona të zhdukur”, shtoi zëdhënësja Shoihet. Policia e Kanadasë tashmë po i vlerëson ata si persona të dyshuar për vrasjen e dy të rinjve në autostradë.

Policia tha se këta dy djem janë të rrezikshëm dhe nëse dikush i sheh ata, nuk duhet t’iu afrohet, por duhet ta lajmërojë menjëherë policinë.

Trupat e dy personave të vrarë ishin gjetur pranë rrugës më 15 korrik, ndërsa policia kishte arritur ta gjente identitetin e tyre vetëm tri ditë më vonë, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat