Në një atmosferë politike thellësisht të përçarë, si demokratët dhe republikanët kishin shpresuar që dëshmia e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller para dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve, do të ishte një pikë kthese për administratën e Presidentit Donald Trump. Mes një atmosfere që dukej si arenë cirku në Kongres, të dyja partitë vazhduan të flisnin me këmbëngulje lidhur me çështjen nëse duhet të fillojë apo jo procesi për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson debati lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 nuk tregon shenja se do të ndalet.
Momenti i shumëpritur …
…Për këta të rinj që donin të ishin në sallë kur prokurori i posaçëm foli për herë të parë në publik, ia vlejti aq sa të flinin një natë më parë në korridoret e Kongresit.
Ata nuk ishin të vetmit në gjithë vendin që shpresonin nëse zoti Mueller do të mund të qartësonte debatin politik që ka përfshirë vendin.
Megjithëse si edhe herë të tjera, pati disa protestues, nuk ishte aspak një seancë e zakonshme për demokratët që kaluan natën, duke u përgatur për çdo lloj skenari. Rezultati?
“Mendoj se nuk ka diskutim se në këtë seancë pamë prova bindëse të pengimit të drejtësisë, kryer nga presidenti i Shteteve të Bashkuara në detaje të jashtëzakonshme nga prokurori i posaçëm”, tha anëtari demokrat i kongresit, David Cicilline.
Demokratët donin që detajet që u transmetuan drejtpërdrejt në gjithë vendin, të kontribuonin në argumentat pro hetimeve të zotit Trump dhe administratës së tij.
“Ai u përpoq të pengonte hetimin për pengimin e drejtësisë nga ana e tij. Pra presidenti na ka futur në një gjendje absurde, por tani këtë mund ta shohë gjithë vendi”, - tha Jamie Raskin, anëtar demokrat i Kongresit.
Por republikanët thonë se zoti Mueller, e keqësoi gjendjen.
“Mendoj se fakti që Robert Mueller nuk dukej se e zotëronte mirë raportin që mban emrin e tij, lë të kuptosh se nuk e kishte plotësisht të qartë se çfarë kishte në ato 448 faqe të raportit”, - tha anëtari republikan i Kongresit, Mark Meadows./VOA