Kandidatët demokratë për president të ShBA-së përplasen për imigrantët

Amerika

Kandidatët demokratë për president të ShBA-së përplasen për imigrantët

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 09:03
Kandidatët nga radhët e Partisë Demokratike

Dhjetë kandidatë për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike janë përplasur për disa çështje gjatë një debate televiziv për zgjedhjet e vitit 2020. Dy ndër temat kryesore të debatit ishin imigrantët dhe pakoja e sigurimit shëndetësor.

Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, kandidatët më liberalë në mesin e shumë kandidatëve demokratë, u sulmuan nga kandidatët e tjerë.

Tri gra dhe shtatë burra e zhvilluan debatin në Michigan lidhur me sistemin e sigurimeve shëndetësore, politikat për kontrollimin e kufirit dhe mënyrën se si të mposhtet presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Warren dhe Sanders thanë se familjet që arrijnë në kufirin mes ShBA-së dhe Meksikës nuk duhet të kriminalizohen. “I kam parë nënat, i kam parë kafazet e fëmijëve. Ne duhet të jemi një vend që i jetëson përditë vlerat tona dhe kjo nënkupton që ne s’mund ta cilësojmë krim hyrjen e dikujt këtu”, tha Warren.

Sidoqoftë, kandidati Tim Ryan e kundërshtoi këtë qasje, duke thënë se propozimet e këtilla do t’i nxisin njerëzit që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë ilegale.

Dhjetë kandidatë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Joe Biden-in dhe Kamala Harris-in, do të zhvillojnë një debat tjetër të mërkurën.

Fituesi i garës për të qenë kundërshtar i Trumpit do të shpallet në korrikun e vitit të ardhshëm gjatë konventës së Partisë Demokratike, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të mbahen në nëntor, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat