Sulmet në masë dhe roli i internetit

Amerika

Sulmet në masë dhe roli i internetit

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 20:45
SHBA

Ndërkohë që amerikanët reflektojnë mbi dy masakrat e fundjavës së kaluar ku gjetën vdekjen 31 vetë, ata po përpiqen t’i japin përgjigje çështjes se si mund t’u pritet rruga fenomeneve të tilla? Studiues në Los Anxhelos thonë se në këtë drejtim mund të ndihmojnë përpjekjet për të ndalur përhapjen e urrejtjes përmes internetit. Ata thonë se udhëheqësit politikë dhe kompanitë e medias sociale duhet të japin ndihmesën e tyre për të zbutur retorikën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga Los Anxhelosi:

Ndërkohë që kujtohen me dhimbje viktimat në El Paso e në Dejton, studiuesit në Qendrën Simon Wiesenthal, një organizatë që punon për të drejtat e njeriut, ndjekin me vëmendje mesazhet e urrejtjes në internet. Për shembull një lojë elektronike u jep lojtarëve pikë nëse vrasin imigrantë të paligjshëm duke kaluar kufirin; po ashtu në internet ka një faqe që ka krijuar një krematorium për hebrenjtë. Në faqe si Gab, përdoruesit reagojnë me entuziazëm për krimet e urrejtjes ndaj hebrenjve, imigrantëve, afrikano-amerikanëve apo myslimanëve.

“Qofshin imigrantë në Teksas, siç ndodhi këtë fundjavë, apo një komunitet tjetër si somalezët në zonën qendrore, ata që përhapin urrejtjen nuk duan t’ia dinë,” thotë Rick Eaton, Studiues në Qendrën Simon Wiesenthal.

Muzeu i Tolerancës në këtë qendër nderon viktimat dhe ata që mbijetuan në sulme të urrejtjes, por nuk merret me autorët e sulmeve.

Vrasësit shpesh herë e shfrytëzojnë internetin, sidomos si burim frymëzimi:

“Autori i sulmit në El Paso postoi në internet një mesazh plot urrejtje raciste,” tha Presidenti Trump.

Manifestoja e autorit të sulmit u shfaq në faqen 8Chan, e cila është shfrytëzuar nga ekstremistët në tre incidente të kohëve të fundit. Personeli teknik e ka bllokuar faqen.

Të hënën, Presidenti Trump dënoi supremacinë e bardhë:

“Fjalimi i tij, kur dënoi supremacinë e bardhë ishte shumë i nevojshëm. Por a do të tregohet në të ardhmen më i kujdesshëm me postimet në Twitter,” pyet rabini i qendrës, Abraham Cooper.

Themeluesi i Qendrës Wiesenthal, Rabini Marvin Hier tha lutje në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump. Kolegu i tij, Rabini Cooper thotë se presidenti dhe demokratët duhet të jenë shembull me tonin që përdorin:

“Në këtë periudhë kur po afrohen zgjedhjet presidenciale përsëri, kalohet në thuajse një demonizim histerik të kundërshtarit. Kemi nevojë për ‘ndalim-zjarri’,” thotë rabini.

Rabini Cooper thotë se edhe kompanitë e medias sociale duhet të jenë më aktive. Në qendër ka një kategorizim të këtyre kompanive në bazë të përpjekjeve për të ndalur gjuhën e urrejtjes. Në muze ekspozohet një letër e Adolf Hitlerit në rini që tregon se çfarë ndodh kur një mesazh urrejtjeje shpërndahet në masë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat