SHBA: Udhëheqja e komunitetit të zbulimit në riorganizim

Amerika

SHBA: Udhëheqja e komunitetit të zbulimit në riorganizim

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 17:08
Dan Coats

Për dy zyrtarët kryesorë të zbulimit në Uashington sot është dita e fundit e punës.

Ata do ta lënë komunitetin e inteligjencës në duart e një drejtori në detyrë ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump po bën një riorganizim të udhëheqjes në fushën e zbulimit.

Largimet e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Dan Coats dhe zëvendëses së tij kryesore, Sue Gordon, vijnë ndërsa rriten tensionet midis Kinës dhe lëvizjes së protestës në Hong Kong, dhe ndërsa kriza të tjera të mundshme ziejnë në Gjirin Persik, në Gadishullin Korean dhe gjetkë.

Presidenti Trump e njoftoi dorëheqjen e zotit Coats në Twitter në fund të muajit të kaluar dhe dy javë më vonë njoftoi në Twitter dorëheqjen e Zëvendës Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare Sue Gordon, e cila duhej të bëhej drejtore në detyrë.

Por në një shënim që shoqëronte letrën e saj të dorëheqjes, zonja Gordon e bëri të qartë se largimi i saj ishte një "akt respekti dhe patriotizmi e jo preferencë”.

"Ju duhet të keni ekipin tuaj," shkruante ajo.

Presidenti Trump e emëroi zotin Coats, ish-ligjvënës republikan dhe ish ambasador i SHBA në Gjermani, si zyrtarin e tij të lartë të inteligjencës menjëherë pas marrjes së detyrës.

Por ndërsa Coats mori shpejt lëvdata nga ligjvënësit dhe ekspertët në bashkësinë e inteligjencës amerikane si i aftë "për ta thënë hapur të vërtetën përpara njerëzve në pushtet", vlerësimet e tij publike u ndeshën vazhdimisht me pohimet e vetë presidentit.

Zoti Coat dhe shefat e tjerë të inteligjencës amerikane u bënë objekt i zemërimit të Presidentit Trump në janar, kur ata dëshmuan para Kongresit, duke kundërshtuar vlerësimet e presidentit për Iranin, për çështjen e çnuklearizimit të Koresë së Veriut, si dhe deklaratat e presidentit se grupi terrorist i Shtetit Islamik ishte mposhtur.

Në një seri komentesh në Twitter, Presidenti Trump deklaroi se zoti Coat dhe të tjerët, "e kanë gabim!" Dhe më tej sugjeronte: "Ndoshta Inteligjenca duhet të kthehet përsëri në bankat e shkollës!"

Zoti Coat gjithashtu u nda publikisht me presidentin në korrik të vitit të kaluar, kur ai tha publikisht se vendimi i Presidentit Trump për t'u takuar vetëm për vetëm me zyrtarë të lartë rusë në Shtëpinë e Bardhë "ndoshta nuk ishte gjëja më e mirë që duhej bërë." Tani për tani, bashkësia e inteligjencës amerikane do të drejtohet nga Joseph Maguire, admiral në pension, i cili kishte shërbyer si drejtor i Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat