Pence do të vizitojë Islandën, shqetësime për "agresionin" rus dhe kinez

Amerika

Pence do të vizitojë Islandën, shqetësime për "agresionin" rus dhe kinez

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 09:49
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, do të vizitojë Islandën më 4 shtator për të biseduar rreth sigurisë.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se vizita zhvillohet pas "inkursioneve" të Rusisë dhe Kinës në Rrethin Arktik.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për sjelljen agresive të Rusisë në Arktik, ku vendet në zonë luftojnë për qasje në minerale, pas shkrirjes së akullit.

Veprimet e Kinës atje do të duhet të vëzhgohen po ashtu, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë në mes të gushtit, udhëtimi i Pence synon "të nënvizojë rëndësinë strategjike të Islandës në Arktik dhe përpjekjet e NATO-s për të kundërshtuar agresionin rus në rajon".

Sidoqoftë, kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir, ka "angazhime të planifikuara më herët" dhe nuk do të takojë Pence, njoftoi Radio Publike Kombëtare e SHBA-së.

Gjatë këtij udhëtimi, Pence do të ndalojë edhe në Britani dhe Irlandë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat