SHBA-ja do të mbajë praninë në Afganistan edhe pas marrëveshjes së paqes

Amerika

SHBA-ja do të mbajë praninë në Afganistan edhe pas marrëveshjes së paqes

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 18:12
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të mbajë prezencën e saj ushtarake në Afganistan, edhe pasi të arrihet një marrëveshje paqeje me talibanët.

Duke folur në një intervistë në radio Fox News më 29 gusht, Trump tha se numri i trupave do të bjerë në rreth 8.600.

“Ne do të mbajmë një prani atje”, tha Trump.

Zyrtarët amerikanë dhe talibanët aktualisht janë përfshirë në një rund të nëntë bisedimesh, për të nënshkruar një marrëveshje historike, që do t’i jepte fund konfliktit 18-vjeçar afgan.

SHBA-ja po kërkon që talibanët të japin garanci, se vendi nuk do të shndërrohet në fole të grupeve terroriste, pas tërheqjes së trupave të huaja.

SHBA-ja synon që fillimisht të arrihet kjo marrëveshje, dhe më pas të fillojë dialogu i brendshëm afgan, i cili do të siguronte paqen afatgjate për vendin, transmeton rel.

Tash për tash, talibanët që kontrollojnë një pjesë të madhe të Afganistanit, nuk po pranojnë të bisedojnë me qeverinë afgane, pasi e cilësojnë atë si “kukull të perëndimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat