OKB-ja: Zjarret në Amazonë janë jashtëzakonisht shqetësuese

Amerika

OKB-ja: Zjarret në Amazonë janë jashtëzakonisht shqetësuese

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 09:42
Ilustrim

Kryetarja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Biodiversitet, Cristina Paşca Palmer, ka thënë se zjarret e përhapura në Amazonë janë jashtëzakonisht shqetësuese për sistemet natyrore të planetit. Ajo ka bërë thirrje që shtetet të ndërtojnë një marrëdhënie të re me natyrën.

Palmer shtoi se shkatërrimi i rajonit më të madh pyjor në botë është paralajmërim shqetësues për nevojën e një qasjeje të re për stabilizimin e klimës dhe parandalimin e dëmtimit të ekosistemeve deri në pikën pa kthim, kur do të kishte pasoja shumë serioze për njerëzimin.

“Zjarret e Amazonës dëshmojnë se jemi duke u përballur me një krizë shumë serioze, por nuk është vetëm Amazona. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar me atë që është duke ndodhur në malet dhe ekosistemet tjera dhe me degradimin e shpejtë të natyrës”, tha ajo.

Krizat mjedisore në botë janë bërë shqetësim në rritje i politikës ndërkombëtare. Shpyllëzimi i Amazonës ishte pjesë e rëndësishme e agjendës së samitit të G7-ës në Francë. Në shtator, liderët botërorë do të takohen në Nju Jork për një samit lidhur me veprimet për mbrojtjen e klimës. Vitin e ardhshëm, ata do të takohen përsëri për një samit për natyrën.

Këtë vit, shkencëtarët kryesorë botërorë paralajmëruan se civilizimi njerëzor është në rrezik nga zhdukja për shkak të shpyllëzimit, shfrytëzimit të tokës për qëllime të dëmshme, ndotjes dhe ndryshimit të klimës, shkruan “The Guardian".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat